Connect with us

Aktualitet

Strategjia e re ushtarake: Rriten mundësitë që Shqipëria të përfshihet në konflikt me Rusinë

Ministria e Mbrojtës ka përgatitur strategjinë e re ushtarake të vendit, e cila do të votohet me ligj në parlament. Dokumenti që është nxjerrë për konsultim publik është hartuar në një mjedis sigurie të përkeqësuar dhe të paqëndrueshëm. Këto ndryshime vijnë kryesisht nga agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës-thuhet ne strategji dhe vullneti i treguar nga Rusia për përdorimin e forcës ushtarake pa dallime dhe kufizime, duke shpërfillur e duke shkelur rëndë ligjet ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe duke sfiduar rëndë paqen dhe sigurinë globale e rajonale.

Në strategji nënvizohet rreziku i një agresioni ushtarak ndaj territorit të Shqipërisë konsiderohet i ulët, por situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare në kufijtë lindorë të Aleancës ka rritur mundësinë që një sulm ushtarak ndaj njërit prej vendeve aleatë të NATO-s, si dhe detyrimet që burojnë nga zbatimi i nenit 5, të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ta përfshijnë Shqipërinë në një konflikt konvencional, i cili mund të përshkallëzohet nëpërmjet përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Kjo strategji vendos objektiva strategjiko-ushtarake, bazuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, por edhe në strategjinë ushtarake të NATO-s, ku mjedisi i sigurisë përballet nga dy kërcënimet kryesore si ai i Rusisë dhe nga terrorizmi, po ashtu strategjia ushtarake i kushton vëmendje edhe kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
Draft strategjia përveç rifokusimit në mbrojtjen kolektive sipas nenit 5 të traktatit të Uashingtonit, ka vendosur një theks të veçantë mbi qëndrueshmërinë sipas përmbajtjes së nenit 3 të traktatit të Uashingtonit duke e sjellë këtë dokument në një linjë me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare.

Strategjia trajton Burimet e mbrojtjes të cilat përfshijnë të gjitha asetet njerëzore, materiale dhe financiare, në dispozicion të FA-së për të realizuar misionin dhe detyrimet në kuadrin e mbrojtjes kolektive. Një theks të veçantë i jepet mbështetjes me buxhet mbrojtës të FARSH në nivelet jo më pak se 2% të PBB.

Advertisement