Connect with us

Bota

Sulmi në Belgorod, Moska publikon foto të automjeteve amerikanë

Shtetet e bashkuara të Amerikës u distancuan nga sulmi ndodhur në rajonin e Belgorodit, për të cilin Moska thotë se përfundoi me humbjen e kryengritësve të armatosur që hynë nga Ukraina. Sulmi në Belgorod konsiderohet si një nga bastisjet më të mëdha ndërkufitare që kur Rusia pushtoi Ukrainën 15 muaj më parë

Rusia publikoi foto të automjeteve ushtarake perëndimore të braktisura ose të dëmtuara, përfshirë edhe mjete të prodhuara në SHBA. Por SHBA këmbënguli se nuk inkurajoi apo mundësoi sulme brenda terrotorit rus.

Një zëdhënës i departamentit të shtetit pranoi ato që “qarkullojnë në mediat sociale se armët e furnizuara nga SHBA ishin përdorur, por tha se vendi i tij ishte “skeptik për vërtetësinë e këtyre raporteve”. Disa ekspertë ushtarakë ukrainas dhe blogerë sugjeruan se imazhet e automjeteve të shkatërruara amerikane të publikuara nga Rusia mund të jenë inskenim.

Fshatrat në Belgorod pranë kufirit u evakuuan pasi u ndodhën nën një sulm të papritur. Rusia thotë se 70 sulmues u vranë dhe këmbëngul se luftëtarët ishin ukrainas. Por Kievi mohon përfshirjen, ndërsa dy grupe paraushtarake ruse që kundërshtojnë presidentin rus Putin thonë se qëndrojnë pas sulmit në Belgorod.

Bastisja e së hënës bëri që Moska të shpallte një operacion kundër terrorizmit, duke u dhënë autoriteteve kompetenca të veçanta për të ndërhyrë.

BBC-ja thotë se mes godinave të sulmuara ishte edhe një që përdorej nga agjencia kryesore e sigurisë ruse.

Duke komentuar situatën në Belgorod, ministria ruse e mbrojtjes tha se një “njësi e një formacioni nacionalist ukrainas” kishte pushtuar territorin e saj për të kryer sulme. Përveç vrasjes së dhjetëra të atyre që i përshkroi si “terroristë ukrainas” në sulme artilerie dhe ajrore, ministria pretendoi se kishte kthyer pjesën tjetër të luftëtarëve në kufirin ukrainas. Por zyrtarët ukrainas thanë se sulmuesit ishin rusë, nga grupet e njohura si Legjioni i Lirisë së Rusisë dhe Korpusi Vullnetar Rus.

Advertisement