Connect with us

Politike

“Të alarmuarit të shmangin diellin”/ Rama reagon sërisht rreth debatit për Kodin e ri Penal

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur me debatet e fundit mbi draftin e ri të Kodit Penal, i cili është bërë publik nga qeveria për konsultim. Ai ironizoi kritikat që kanë ardhur nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë dhe juridikë, duke i quajtur “të alarmuar” dhe duke u sugjeruar që të mos ekspozohen shumë në diell.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se drafti është hartuar nga ekspertë të fushës dhe është prezantuar publikisht me qëllimin për të mbledhur sa më shumë opinione, në mënyrë transparente dhe demokratike.

 

“Drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij,” shtoi Rama.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri u ndal edhe te përdorimi i lirisë në Shqipëri, duke theksuar se problem më i madh, sipas tij, nuk është drafti i kodit apo ndonjë rrezik për lirinë, por mënyra sesi një pjesë e individëve e përdorin atë.

“Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj,” përfundoi Rama.

Reagimi i plotë:

Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj

Advertisement