Sport
Të “dënuar” me fitore/ Kuqezinjtë nuk kanë fituar kurrë ndaj Letonisë, a do arrihet një ndryshim në histori?

Kombëtarja shqiptare do të luajë të martën ndaj Letonisë, duel i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Sfidë kjo që do të startojë në orën 20:45
Ekipi i drejtuar nga Sylvinho do të hyjë në fushë vetëm për 3 pikët për të mbajtur deri në fund “gjallë” shpresat për një vend në Botëror.
Për këtë skuadra do të jetë e gjitha “all-in” ndaj letonezve, kjo edhe si për të zbehur paraqitjen jo të mirë në miqësoren ndaj Gjibraltarit pak ditë më parë.
Nuk do të jete e lehtë për ekipin tonë, pasi në 6 ndeshjet përballë tyre nuk kanë arritur të triumfojnë. Por kuqezinjtë mund të tentojnë të “thyejnë këtë tabu” ditën e martë. Nëse në përballjet direkte ekipi ynë nuk ja ka dalë të triumfojë ndaj letonezve, statistikat e 5 ndeshjeve të fundit të Kombëtares japin “shpresë për një triumf”.
Kjo pasi kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë 2 ndeshje, të barazonë në 2 sfida të tjera dhe kanë vetëm 1 humbje. Kanë triumfuar ndaj Andorrës në kualifikuese, kanë barazuar me Letoninë dhe Serbinë, ndërsa janë mposhtur nga Anglia po në kualifikuese.
Ndërkohë së fundmi triumfuan ndaj Andorrës në miqësore dhe Kombëtarja do të synojë një tjetër fitore në “Arenën Kombëtare”. Gjithsesi vlen të përmendet se gjendja fizike, por edhe sportive e lojtarëve në këtë periudhë të sezonit nuk është më e mira, në seancën e djeshme stërvitore 3 lojtarë janë parë të fashuar, Uzuni, I cili seancën e së shtunës e zhvilloi veçmas ekipit, Adrion Pajaziti dhe Arlind Ajeti.
Edhe në aspektin sportive ekipi nuk është në formën më të mirë, Armando Broja në dy vitet e fundit ka thuajse vetëm 90 minuta të luajtura, Bajrami gjithashtu me shumë pak minuta tek Rangers, i cili së fundmi e la jashtë listës së Europës, Jasir Asani ka ndryshuar skuadër dhe me pak aktivizime nën këmbë, ashtu si edhe Asllani i transferuar mes problematikave tek Torino.
Këta janë sa për të përmendur disa nga problematikat që duhet të tejkalohen për mbrëmjen e nesërme, kemi një objektiv, apo një ëndërr që është kualifikimi për në Botëror dhe 3-pikëshi ndaj Letonisë është e vetmja mundësi, kur sot në grup ndodhemi në vendin e tretë me Anglinë e arratisur në krye me 12 pikë në 4 ndeshje, Serbinë me 7 pikë pas 3 ndeshjesh, ndërkohë që ne me një ndeshje më tepër se ta, në 4 përballje kemi grumbulluar 5 pikë.

