Aktualitet
Të shëndetshmin e bëjnë “invalid”, fajtorin e bëjnë “të çmendur”
Nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
Publikimi i para pak ditëve i një rasti korruptiv në qytetin e Durrësit, ku dy mjeke lëshonin raporte apo diagnoza edhe pa qenë fare i pranishëm “pacienti”, rikthehu në vëmendje një fenomen që e hasim shpesh në përditshmërinë tonë.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë Durrës janë vendosur në lëvizje pas transmetimit të një rasti, mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku shfaqeshin 2 shtetase, mjeke në institucione spitalore të ndryshme të qarkut të Durrësit, duke ushtruar detyrën në kundërshtim me ligjin.
Forcat e rendit kanë arrestuar:
-S. D., 34 vjeç, banuese në Durrës, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si Mjeke e Përgjithshme në Qendrën Shëndetësore Nr. 5, Durrës, ka pajisur me rekomandim mjekësor një pacient (qytetar i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ), i cili as nuk ishte prezent gjatë vizitës dhe as nuk ishte banor i zonës që mbulon me shërbime, qendra shëndetësore ku punonte 34-vjeçarja.
-G. G., 51 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka plotësuar një dokument për përcaktimin e diagnozës mjekësore të një pacienti (qytetar i infiltruar nga stafi i emisionit investigativ), në këmbim të shumës prej 5,000 Lekësh”, njoftonte një ditë më parë policia.
Por këto nuk janë raste të izoluara.
Sa e sa raste shohim dhe dëgjojmë çdo ditë me punonjës të sistemit shëndetësor që përmes korrupsionit ndryshojnë diagnozat. Dikush bëhet invalid duke qenë i shëndetshëm e dikush që është i sëmurë rezulton i shëndetshëm.
Ky fenomen është shumë i pranishëm në rastet kur kemi aksidentet rrugore, ku me qëllim përfitimin nga siguracioni, mjekët lëshojnë diagnoza të paqëna.
Shqipëria regjistron çdo vit me mijëra aksidente rrugore, të shoqërohen edhe me kosto financiare për personat e përfshirë, viktimat apo të lënduarit, familjarët, komunitetin, shoqërinë dhe cilësinë e jetës në përgjithësi pasi janë kosto të mëdha që ndikojnë në të gjithë ekonominë e vendit.
Gjatë viteve të fundit, faturat spitalore nga aksidentet rrugore janë disa dhjetëra milionë euro dhe për një shtet me kapacitete jo të mëdha ekonomike, si Shqipëria, kjo shifër nuk është e vogël dhe e papërfillshme.
Por mes të dëmtuarve ka edhe “fatlumë”.
Prej shumë vitesh, në Shqipëri është krijuar një skemë e mirëfilltë korruptive, nga ekspertë, vlerësues dëmesh, mjekë dhe avokatë që manipulojnë shkaqet dhe fajtorët e vërtetë të aksidenteve, ndryshojnë diagnozat duke devijuar në mënyrë të qëllimtë të drejtën e dëmshpërblimit.
Janë këta individë që shkojnë të parët pranë të aksidentuarit apo te familjarëve dhe me pretendimet se “kompanitë e sigurimit nuk paguajnë” përgatisin skemat e vjedhjes së të dëmtuarit.
Qytetarët nga ana tjetër, shpeshherë duke mosditur që e drejta e dëmshpërblimit i takon kujtdo që ka pësuar aksident duke mos qenë fajtor, bien pre e këtyre mashtrimeve dhe firmosin pa ditur se çfarë po firmosin. Dhe në përfundim, ose nuk marrin dëmshpërblimin që u takon, ose në rastin më të mirë marrin vetëm gjysmën e tij.
Në të tilla situata, edhe vetë kompanitë e sigurimit janë të dëmtuara pasi ato duan që çdo klient të marrë atë që i takon, të jetë besnik ndaj saj dhe të jetë i prirur edhe drejt sigurimeve vullnetare.
Për këtë arsye, drejtuesit e kompanive të sigurimeve kanë apeluar vazhdimisht tek qytetarët që për çdo rast të drejtohen drejtpërdrejt te kompanitë e sigurimeve, duke shmangur avokatët apo ndërmjetësit.
Sepse duke iu drejtuar palëve të treta, duke zgjedhur ndërmjetës nuk bëjnë gjë tjetër veçse humbasin edhe atë që u takon.
Në rast se jeni të pakënaqur me atë që ju ofron kompania apo nuk ju paguan brenda afatit të caktuar nga momenti që ju dorëzoni dokumentat, (maksimumi tre muaj), atëherë drejtohni gjykatës.