Biznes

Të shesësh shijet/ Biznesi i luksit në Shqipëri

Arredimi i banesave dhe bizneseve është një sektor në ekonomi që prej disa vitesh ka treguar se edhe shijet mund të tregtohen. Po, shqiptarët “blejnë” shijet dhe madje, me çmime të kripura. Konkurrenca është rritur dhe bizneset në vend “ankohen” për vështirësinë e zbatimit të projekteve dhe menaxhimin e kostove…

Të jesh një interior designer në Shqipëri dhe të dekorosh ambientet e shtëpive apo bizneseve, duket si një punë shumë e këndshme. Arkitektët e kthejnë fantazinë dhe krijimtarinë në realitet.

Foto mca_architecture

Ndërsa ata përkushtohen për të shfaqur bukurinë, gjithashtu iu nënshtrohen kërkesave të klientëve në lidhje me dizajnin e brendshëm.

Dhe duhet thënë: shqiptarët nuk janë klientët më të lehtë të mundshëm. Suksesi i biznesit është më shumë se dizajn.

Sipas burimeve nga studio të ndryshme në kryeqytet, mbijetesa e këtij sektori vjen nga një mori arsyesh si: gjetja e një rrjeti që të mundëson klientë të rinj, e grupit të punës që bën zbatimin e projektit në mënyrën e duhur, menaxhimi i kostove brenda dëshirave të klientit etj., të gjitha këto në një treg të vogël si Shqipëria…

Një treg konkurrues dhe orare plot tension e bëjnë dizajnin e brendshëm një industri sfiduese për të konkurruar, madje edhe për firmat më të mëdha. Shumë firma të dizajnit të brendshëm përballen me pengesa – nga financat te menaxhimi efektiv i projektit.

Jo të gjithë klientët e vlerësojnë punën, ka një nocion mosbesimi te profesioni i arkitektit. Është krijuar mendimi se çdo sugjerim i arkitektit shikohet në këndvështrimin se “ku është përfitimi i arkitektit këtu” dhe ky krijon një problem të madh në marrëdhënien klient-arkitekt.

Problematike është dhe interneti, sepse klientët shqiptarë po ta themi me termin popullor “Google” (kërkojnë në internet) faqe të ndryshme për të krijuar një ide për ambientet e tyre.

Foto mca_architecture

Ndryshimet gjatë projektit janë të panumërta, sepse gjatë kohës që përpunohet, ata kërkojnë online referencat e reja.

Vështirësia tjetër është koha e realizimit të një projekti, shpesh nëpër zyra arkitekture dëgjohet termi ‘duhet të ishte bëre dje’, sepse shumica e klientëve kërkojnë që projekti të bëhet në një kohë shumë të shkurtër.

Procesi i zbatimit është një sfidë më vete, sot krahas çdo vështirësie, problematika kryesore qëndron te grupet e punës.

Duke parë që vendi ynë gjithnjë e më tepër po zhvillohet në sektorin e turizmit, kjo sjell që dhe numri i ndërtimit të strukturave akomoduese të jetë i lartë. Dhe standardet në ndërtimin e hoteleve janë rritur, kërkohet gjithnjë e më tepër përafrimi me standardet europiane të hotelerisë.

Foto mca_architecture

Por sa duhet paguar për artin e arredimit? Çmimet e tregut të arreduesve variojnë nga 15 deri në 35 euro për metër katror. Arkitektët pohojnë se nuk mund të flitet për çmime fikse, duke qenë se variablat që bëjnë ndryshimet janë: lloji i banesës apo biznesit, vlera e investimit që do të hidhet, arkitektura në tërësi etj.

Tarifat e një arkitekti arredues llogariten në bazë të vlerës së preventivit. Zakonisht, kjo tarifë është rreth 7%. Por nëse klienti kërkon që arkitekti të ndjekë në vazhdimësi ecurinë e punimeve, natyrisht që kosto rritet. Ndërkohë, sipas të gjithë arreduesve, nuk ka diferencime në tarifa mes familjarëve dhe bizneseve. Kriter i vetëm është vështirësia dhe volumi i punës.

Foto mca_architecture

https://instagram.com/mca_architecture?igshid=YmMyMTA2M2Y=

 

 

TRENDING

Exit mobile version