Aktualitet
Toka për pasanikët, fundi i detit për të varfërit!

Shkrim nga NTV.AL
5 pasanikë sot nuk po gjenden, pasi nëndetësja e tyre “Titan” me të cilën u zhytën për të parë “Titanikun” e mbytur mbi 100 vite më parë, u zhduk. Oksigjeni i nëndetëses mbaroi dhe sot në televizionet amerikane, vijojnë transmetimet Live për gjetjen e saj.
Një aventurë e rrezikshme, që fundi përkoi me të njëjtën frikë që çdokush prej nesh do të kishte përpara se të hipte në atë nëndetëse. Zhdukja nga radarët, mos-funksionim dhe të qenit pa oksigjen.
Por këtu po flasim vetëm për një aventurë pasanikësh në oqean, teksa të tjera dete, fundet e tyre janë kthyer në varreza masive. Varreza masive të atyre që do u mjaftonte vetëm një copë dërrasë mbi ujë dhe një lopatë, për t’i shpëtuar varfërisë, për t’i ikur luftërave, për t’i ikur persekutimeve dhe për të gjetur kuptimin e jetës në vendet perëndimore, në Europë.
Në detin Mesdhe, sot prehen trupat e mijëra emigrantëve nga vendet e lindjes dhe Afrikës, që nuk ia dolën që pasi hyn në det, të shkelnin përsëri në tokë. Për ta, nuk pati me një tokë të premtuar. U përpoqën t’i largoheshin te keqes, që trupat e tyre të mos i treste varfëria dhe lufta, por ia falën trupat e tyre detit.
Tentativat për të shpëtuar anijet me emigrante në mesdhe, jo pak herë janë kthyer në ping-pong përgjegjësish midis shteteve se kujt i takon për të çuar trupat e shpëtim-kërkimit.
Teksa elitat politike drejtuese zgjidhin këta hall, uji në anije e thith këtë të fundit drejt rërës së detit, por jo vetëm hekura dhe dërrasa, por edhe mish, gjak dhe shpirtra të pafajshëm që jeta i përball me mospërfillje, ku askush nuk ua shtrin dorën, përveçse trafikantëve të qenieve njerëzorë kur u kërkojnë mijëra euro për të hipur në anije, por pas asnjë fije premtimi se do shkelin në brigjet e shpresës.
Ndërkohë operacioni për gjetjen e nëndetëses Titan ka angazhuar dhjetëra trupa të kërkim shpëtimit, pajisje teknologjie, radarë, pamje satelitore.
Ndoshta për emigrantët që sot prehen ne fund të detit, do të mjaftonte vetëm një koordinim i flotave ushtarake apo te atyre që patrullojnë në det. Ndoshta jeta e tyre mund të shpëtohej edhe me një copë dërrasë, ashtu si Rose tek “Titanik”.
Por në fund të ditës jemi koshient. Ndoshta është e vështirë ta thuash, por jeta e një të varfëri nuk barazohet me jetën e të pasurit. Për këtë të fundit tunden themele, mposhten dete dhe dallgë, ndërsa për të varfërin, dallga le ta marrë….
Titanikët e vërtetë, janë anijet me emigrantë, ndërsa “Titanët” janë aventura të pasurish me vëmendje nga politika pasanike.

