Connect with us

Shkrime

‘Trump po përgatit opinionin për dështim pasi premtoi paqe në Ukrainë brenda 24 orësh’

“Trump po e përgatit publikun për dështimin e ndërmjetësimit të tij në Ukrainë”.

Charles Kupchan, i cili e menaxhoi këtë krizë në Shtëpinë e Bardhë kur Obama ishte president, ende shpreson për “mundësinë e një marrëveshjeje”, por në të njëjtën kohë paralajmëron se “SHBA-të duhet të përgatiten për mundësinë që Putini ta refuzojë atë dhe lufta të zgjasë shumë”.

A i ndryshoi gjërat takimi i Trump dhe Zelensky në Vatikan?

“Mendoj se ishte potencialisht një pikë kthese, veçanërisht kur e lidh me marrëveshjen për mineralet. Por do të isha i kujdesshëm në nxjerrjen e përfundimeve të nxituara, sepse kjo nuk është hera e parë që Trump ka folur për nevojën për të rritur presionin ndaj Putinit. Megjithatë, deri më tani, ai dukej i orientuar vendosmërisht në favor të Rusisë, ndërsa tani është më i angazhuar me Ukrainën”.

A është marrëveshja me mineralet arsyeja e këtij kthese?

“Është e rëndësishme për disa arsye. Është dokumenti i parë në të cilin administrata Trump artikulon rezultatin që dëshiron, duke u zotuar për një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të sigurt. Kjo do të thotë hedhja poshtë e kërkesave maksimaliste të Putinit për një Kiev të demilitarizuar, të “denazifikuar” dhe të privuar nga Perëndimi.

Pastaj, SHBA-të dhe Ukraina tani janë në një linjë strategjike dhe Uashingtoni ka një interes të drejtpërdrejtë në shpëtimin e Kievit. Së fundmi, Trump është ankuar gjithmonë se lufta po i bënte Shtetet e Bashkuara të humbisnin para, ndërsa tani ai do të jetë në gjendje të thotë se ato do të shlyhen”.

“New York Times” zbulon se furnizimet me raketa Patriot po rifillojnë.

“Është shumë e rëndësishme, sepse deri para pak ditësh nuk kishte asnjë shenjë se SHBA-të do të vazhdonin të furnizonin me armë Ukrainën, dhe një nga mangësitë më serioze me të cilat përballet Kievi është mbrojtja ajrore”.

Pse thotë Trump se paqja mund të jetë e pamundur?

“Duke gjykuar nga gjuha e përdorur, ai po përpiqet ta përgatisë opinionin publik për dështim, pasi ka thënë se do ta përfundonte luftën brenda 24 orësh. Mendoj se ai e nënvlerësoi në mënyrë drastike sa e vështirë do të ishte të arrihej një marrëveshje, veçanërisht Putini, nga i cili deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të një heqjeje dorë të mundshme nga objektivat maksimaliste. Për aq sa dimë ne, ai ende synon nënshtrimin e Ukrainës dhe për këtë arsye marrëveshja është e pamundur”.

Trump kërcënon të largohet nga negociatat për të rritur presionin?

“Pjesërisht, por mund të jetë edhe një pasqyrim realist i frustrimit të tij. Ai besonte se sapo të vinte në detyrë, do ta telefononte mikun e tij më të mirë, Vladimirin, dhe Putini do ta mbyllte marrëveshjen. Atëherë ai do të kishte ushtruar pak presion mbi Zelenskyn dhe loja do të kishte mbaruar. Nuk funksionon kështu, ai ishte naiv”.

Dhe çfarë duhet të bëjë ai tani?

“Këto negociata nuk shkuan mirë sepse u menaxhuan shumë keq. Trump bëri gjënë e duhur kur u përpoq t’i jepte fund luftës, të fliste me Putinin dhe të takohej me rusët në Arabinë Saudite, por ai gjithashtu duhej të bënte detyrat e shtëpisë më parë, duke u ulur me evropianët dhe ukrainasit për të hartuar një plan koherent dhe pastaj të negocionte me Moskën.

Në vend të kësaj, ai filloi duke bërë lëshime përpara se të negocionte, të tilla si njohja e Krimesë ose t’i thoshte “jo” hyrjes së Ukrainës në NATO. Këto janë gabime të fillestarëve. Tani ai ende mund ta korrigjojë veten dhe të negociojë ashpër me rusët. Nëse Moska refuzon, SHBA-të do të duhet të përgatiten për një luftë të gjatë, duke i kërkuar Kongresit më shumë armë dhe para. Megjithatë, nuk mendoj se ka ardhur koha për të hequr dorë nga negociatat”.

Pse?

“Putini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën, por atij i intereson edhe marrëdhënia me Trumpin. Ka interes në heqjen e sanksioneve dhe rehabilitimin ndërkombëtar. Pastaj ndoshta më vonë do të pushtojë përsëri, prandaj nevojitet një marrëveshje që i jep garanci Kievit”.

A mund të ndihmojë shtrëngimi i sanksioneve ndaj Moskës?

“Potencialisht. Por nëse arrijmë në pikën ku Trump është aq i frustruar sa dëshiron ta ndëshkojë Putinin, kjo mund të nënkuptojë fundin e negociatave, sepse nuk mendoj se kreu i Kremlinit do të pranojë të tërhiqet nën presion, duke demonstruar se i dorëzohet forcës së Shtëpisë së Bardhë”.

Marrë nga La Repubblica

Advertisement