Politike
‘Turizmi është dështimi më spektakolar ekonomik’/ Berisha ngre zërin: Shkaku i rënies dramatike është…

“Përveç kësaj jam para jush për një çështje madhore të vendit. Turizmi është dështimi më spektakolar ekonomik i narkoshtetit shqiptar. Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Potenciali turistik i vendit është i jashtëzakonshëm. Brigjet e lumenjve, detrave dhe liqeneve të saj janë pasuri përrallore.
Nga viti 2005 deri në vitin 2012, pas ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe asaj dixhitale, numri i turistëve u rrit nga 300 mijë që ishte në vitin 2005 në 4 milionë e 700 mijë. Numri i turistëve ka vazhduar të rritet në mënyrë të padiskutueshme.
2-3 vitet e fundit është paraqitur një numër prej 10 milionësh, i cili përbën një mashtrim të vërtetë sepse përfshin të gjithë pasagjerët shqiptarë dhe rajonalë të linjave ajrore Easy Jet, Ryanair të Rinasit. Por pavarësisht nga ky mashtrim i madh, numri i turistëve është rritur në mënyrë të pamohueshme. Mirëpo viti i kaluar shënoi një rënie drastike të turistëve në brigjet, plazhet e detrave dhe liqeneve të Shqipërisë. Kjo rënie drastike vazhdoi këtë vit akoma më e thellë.
Shkaku i kësaj rënie, në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të pandershme dhe të padenjë, fshihet nga narkoqeveria, fshihet nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë. E bëjnë këtë nga padija apo nga frika dhe kodi i mafies, unë nuk mund ta them. Por u them me përgjegjësi të plotë se shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narkoeuroja. Narko-euro është toksina e vërtetë e turizmit.
Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Është e paimagjinueshme se si në kodin e heshtjes, kjo nuk u thotë shqiptarëve. Rënia e vlerës së euros në 35 përqind, rënia e vlerës së dollarit në 35 përqind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro.
Të fshehësh këtë, bëhesh bashkëfajtor në një krim. Pra, edhe njëherë, zhvlerësimi që iu bë monedhës europiane dhe amerikane në Shqipëri nga kontejnerët me euro dhe dollarë të narkosve shqiptarë, zhvlerësimi prej 35 përqind, goditi turizmin në mënyrën më të egër, pasi çdo turist në Shqipëri duhet të shpenzonte për të njëjtat shpenzime, të njëjta blerje, 35 më shumë euro,” tha Berisha.

