Politike
Uleni menderen dhe…Manjani: Paraburgimi plot me persona që nuk u pyetën kurrë
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/ylli-manjani-erion-veliaj.jpg)
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, nisur nga rasti i arrestimit dhe burgosjes së Erion Veliajt, ngre shqetësimin për qasjen ndaj paraburgimit në vendin tonë.
Manjani shprehet në një koment në rrjetet sociale se paraburgimi pa pa flagrancë dhe ndaj personave jo të pandehur konsiderohet si heqje e lirisë pa prova.
Ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të hartojë ligje demokratike, teksa tregon se si institucionet e vendit janë të mbushura me të paraburgosur që nuk pyeten kurrë.
Komenti i Manjanit në rrjetet sociale:
Sa për informacion:
Paraburgimi është plot me persona që nuk u pyetën kurrë, para se ndaj tyre të zbatohej masa e arrestit. Klotilda Bushka, të paktën është e lirë dhe pa masë sigurie.
Në të gjitha institucionet ku janë akomoduar të paraburgosurit ka rradhë të gjata me gra e fëmijë të mitur që presin të takojnë baballarët e tyre. Asnjë fëmije nuk i urohet ky fat, me thënë të drejtën! Pa dyshim as fëmijës së Erionit.
Siç kam thënë aplikimi i arrestit me burg jashtë kontekstit të flagrancës dhe, ndaj personave jo të pandehur konsiderohet heqje e lirisë pa prova. Një pjesë të fajit e ka drejtësia, por edhe ligji ka gropë të madhe në këtë gjë. Kryeministri të mos shkumëzojë hiç për arrest pa prova e pa gjyq, por të hartojë ligje demokratike që të kenë llogjikë e kuptim, jo ligje që lejojnë tenjën e rradhës të marrë vendime sipas qejfit.
Tani, Kryeministrit i them: Welcome to my club!
Por në dallim nga unë e ca si unë, ai duhet të shtrojë menderen e të bëjë ligje për të qenë. Duhet ta bëjë këtë gjë bashkë me këta kakofonikët e opozitës.
Nuk është zgjidhje etiketimi “dumdumani” apo “prokuror karagjoz”…
Ulni menderen e bëni diçka, se padrejtësia është masive jo selektive!
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)