Connect with us

Shkrime

Urimi i Ambasadës/ Kjo është Amerika e Trump, ajo që njihnim deri dje, sot nuk është më

Ambasada Amerikane në Tiranë publikoi një urim pas zgjedhjeve që tingëllon më shumë si njoftim teknik sesa përgëzim politik.

Fjalia e urimit ishte kjo: “Ne presim me padurim të punojmë me institucionet që do të formohen në përputhje me ligjin shqiptar dhe të promovojmë prioritetet tona të përbashkëta”.

Në pamje të parë, asgjë e jashtëzakonshme, por, për këdo që njeh gjuhën politike dhe lexon më shumë nga ç ‘është shkruar, mesazhi është i qartë, se ky nuk është një urim.

Nuk përmendet askund fjala zgjedhje të lira. Nuk përmendet as proces demokratik. As fjalë për qytetarët, për fitoren, për garën, për transparencën.

Nuk ka asnjë emër, asnjë parti, asnjë përgëzim.

Ka vetëm një theks të thatë mbi “institucionet që do të formohen sipas ligjit”.

Kjo është mënyra më neutrale, më e thatë dhe më e largët për të reaguar ndaj një procesi zgjedhor.

Në thelb, ky është një urim që nuk i drejtohet askujt në veçanti.

Një fjali që mund t’i përshtatet çdo vendi në çdo kohë. Një tekst që duket sikur ka rënë nga një makinë e prodhuar nga një program automatik.

Jo si diçka që vjen nga reflektimi politik apo analiza diplomatike apo prezencës në zgjedhje.

Dhe për më tepër, vjen në një kohë kur Amerika është përballë krizave shumë më të mëdha se një rotacion i zakonshëm në Ballkan.

Në Evropë, ka një luftë në Ukrainë që ka tronditur të gjithë arkitekturën e sigurisë.

Në Lindjen e Mesme, konflikti në Gaza ka polarizuar aleancat dhe ka hapur fronte të reja tensioni. Përballja me Kinën është bërë prioritet absolut.

Vetë në SHBA, një fushatë presidenciale pamëshirshëm po sjell riformatim të betejave gjeostrategjike.

Shtëpia e Bardhë ka një betejë të brendshme për këto projekte.

Në këtë realitet, një deklaratë pas zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka më ngarkesën politike që kishte dikur.

Ka vetëm një qëllim si të ruajë qetësinë formale dhe të mos japë asnjë sinjal real përkrahjeje ose shqetësimi.

Pra, më shumë sesa një “urim për zgjedhjet”, është një fjali që tregon qartë, “mos na përfshini në emocionet tuaja”.

Një formë e heshtur e parimit “America First”, që është kthyer në normë edhe për komunikimin diplomatik.

Shqipëria është e rëndësishme, por jo urgjente. Dhe për këtë arsye po na thonë se  zgjedhjet janë të rëndësishme, por vetëm për aq sa ndikojnë në stabilitetin e institucioneve.

Dhe për sa kohë institucionet formohen dhe bashkëpunimi funksionon, festa le të bëhet mes jush.

Po na bëjnë të qartë se Amerika do të kthehet kur të kemi punë konkrete.

Kaluan pothuajse katër muaj nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë dhe  askush nga ambasada nuk e ndjeu të nevojshme të komentojë as për rezultatin, as për krizën politike, sepse në thelb, nuk ka më as të drejtë të përzihet, as interes për ta bërë këtë deri në një vendim tjetër strategjik.

Ajo që vlen të theksohet është se kudo ku kjo administratë ka dhënë përkrahje të qartë politike, partnerët e saj kanë humbur: në Kanada, në Australi, në Rumani, në Gjermani.

Kjo nuk është më një rastësi, është pasojë e një distance që rritet mes vizionit global të Amerikës dhe krizës së legjitimitetit në partneritetet e saj më shtetet më të vogla.

Për ta thënë më qartë: Ky nuk ishte një urim. Ishte njoftimi i një vendi, i cili edhe pse ka tre vjet pa ambasador në selinë e Tiranës, nuk e ka ndonjë shqetësim të madh këtë pjesë.

Një lloj përkufizimi i pozicionit të vetë-mbajtur të një superfuqie që po ndjek zhvillimet nga larg.

Dhe nuk do të afrohet më shumë, përveç nëse ndodh diçka që prek interesat e saj.

Deri atëherë, mesazhi është Festoni vetë. Ne do flasim me institucionet. Kurdo ato formohen. Kjo është Amerika e Trump. Amerika që ne e njohim nuk është më.

NGA AP

Advertisement