Kosova
Vuçiç: Lista Serbe arriti fitore të rëndësishme për Serbinë në zgjedhjet në Kosovë
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/LISTA-SERBE.jpg)
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se Lista Serbe e ka shënuar një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbia e tyre”.
Vuçiç tha se “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.
Ndërsa, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit i mori rreth 3.861 vota, ose 0.46 për qind.
Vuçiç shtoi se Lista Serbe “me gjithë dobësitë, mangësitë dhe gabimet e saj, ka arritur të fitojë besimin më të madh të serbëve” në Kosovë.
Por, sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Rashiç, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.
Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviçit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviçit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë, por Misioni Monitorues i BE-së ka vënë në dukje “monopolin dhe presionet” nga zyrtarët e saj.
Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.
Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim./REL
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)