Connect with us

Kosova

Vuçiç zyrtarisht dhe hapur është pajtuar me Kosovën në Këshillin e Evropës

Kryetari i Lëvizjes Dashuria, Besimi, Shpresa, Nemanja Sharoviç, ka thënë se presidenti i Serbisë zyrtarisht dhe hapur është pajtuar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE). Ai gjithashtu theksoi për agjencinë Beta se Vuçiç është pajtuar për pranimin e Kosovës me kusht që të formohet Asociacioni.

“Duke pranuar planin franko-gjerman dhe udhërrëfyesin e Ohrit, Vuçiq pranoi hyrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në KE është pasojë logjike e politikës së tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ajo që Vuçiq po bën sot është vetëm kontrolli i dëmit mediatik, sepse për shkak të marrëveshjes së Serbisë, pranimi i Kosovës në KE është përkrahur edhe nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës” – ka vlerësuar Sharoviç.

“Vuçiç ka përgjegjësinë më të madhe për pranimin e Kosovës në KE, sepse ua ka premtuar shefave të tij nga Perëndimi. Ai që nga viti 2012 në vazhdimësi po zbaton politikën e tradhtisë së interesave kombëtare serbe dhe heqjes dorë nga autoriteti shtetëror në Kosovë. Vuçiçit i intereson vetëm se si të ruajë pushtetin ndërsa serbët në Kosovë janë krejtësisht të harruar për të” – tha Sharoviç.

Ai shtoi se edhe gjashtë muaj pas ngjarjeve tragjike në Banjskë, Vuçiç asnjëherë nuk i përmendi të rinjtë që vdiqën, si dhe familjet që pretendon ai se u larguan nga Kosova. “Vuçiç nuk përmend as përgjegjësinë e atyre që udhëhoqën operacionin “Banjska”, dhe natyrisht nuk mundet sepse ai ishte komandanti i atij aksioni tragjik që i shkaktoi Serbisë dëme të pamatshme” – theksoi Sharoviç.

Presidenti i Serbisë, ka urdhëruar dje Qeverinë e Serbisë që të formojë një ekip që do të udhëheqë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi vendimi final për këtë pritet në maj.

“Pavarësisht përkrahësve të fortë të pavarësisë së Prishtinës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe për këtë arsye ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë” – tha Vuçiq në një seancë speciale të Qeverisë së Serbisë dhe shtoi se kjo është e një rëndësie vendimtare për Serbinë. “Është e mundur që disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”- theksoi presidenti serb.

Advertisement