Kosova
Zgjedhjet në Kosovë/ Kurti pret tortën por kush i ndez qirinjtë?!

Analistja Liridona Beqiri tha se Vetëvendosje e Albin Kurtit, mbetet partia më e madhe në Kosovë, duke demonstruar se platforma e tyre politike vazhdon të rezonojë me një pjesë të konsiderueshme të elektoratit.
“Udhëheqja e Albin Kurtit dhe korniza ideologjike e partisë së tij, Vetëvendosje, shpesh janë karakterizuar si një vizion i drejtuar nga elita, ndonëse një vizion që pozicionohet në opozitë me elitat tradicionale politike në Kosovë. Por në të njejtën kohë, Kurti e ka inkuadruar Vetëvendosjen si një lëvizje antielitare, duke u tubuar kundër asaj që ai e konsideron si një strukturë politike të korruptuar, nepotike dhe klienteliste që historikisht ka mbajtur pushtetin në Kosovë. Në një kontradiktë të tillë ku Kurti është padyshim një elitë politike për shkak të lidershipit të tij, ai paraqitej si i jashtëm, duke luftuar kundër elitave, duke e pozicionuar partinë e tij si zërin e popullit kundër rendit të vendosur” – deklaroi Beqiri, sipas se ciles, “pikërisht nga një rezultat i tillë, duket se populli i Kosovës është më i interesuar të shohë veprime të prekshme sesa thjesht krenari nacionaliste, e populli ndonëse ende mbështet drejtimin e përgjithshëm, po bëhet gjithnjë e më i dallueshëm për thelbin pas premtimeve”.
“Edhe pse fitues i zgjedhjeve, Kurti nuk mund të duartrokas me një dorë për të qeverisur. Mungesa e një shumice të plotë do të imponojë bisedimet e koalicionit të cilat do të jenë një provë e pjekurisë politike që duhet të provojë aftësinë e tij për të qeverisur në mënyrë gjithëpërfshirëse, edhe nëse kjo do të thotë të bëjë lëshime me ata që Vetvendosja historikisht është distancuar për shkak të dallimeve ideologjike.
Ajo që duhet të mbetet e rëndësishme dhe prioritet për Kosovën janë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe integrimi në BE, aq më shumë kur këto marrëdhëniet janë të acaruara. Ndërsa BE-ja mbetet partneri kryesor diplomatik, pozita ndërkombëtare e Kosovës mund të vazhdojë të minohet nga paaftësia e saj për të zgjidhur tensionet e brendshme etnike dhe për të arritur njohjen e plotë diplomatike.
Duke i’u referuar gjysëm postulatit të Kurtit, ideja se Kosova ose po marshon përpara me sytë vigjilentë të fuqive ndërkombëtare mbi to ose po ndalon dhe po përballet me pasoja të mundshme është pothuajse kinematografike në absurditetin e saj në disa segmente. Dilema e Kurtit? Duke e mbajtur turmën larg, ndërsa përpiqet të bindë të gjithë se ai nuk po luan vetëm rolin e heroit kokëfortë në një dramë gjeopolitike.
E cdo hap përpara është si një ecje diplomatike në litar – dhe çdo ndalesë kërkon llogaridhënie. Sipas këtyre qëndrimeve, vallëzimi aktual ndërkombëtar i Kosovës duket më shumë si një tango e ngathët – ku të gjithë po e shikojnë, por askush nuk e di se kush po udhëheq” – potencoi analisja e njohur.

