Kosova
007 janë futur në veri të Kosovës, Kurti majtist i modës së vjetër
Nga Shkëlzen Maliqi
Një çerek shekulli pas bombardimeve të NATO-s, shumëçka ka ndryshuar në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
“Kosova mori shumë shpejt mbështetjen e Perëndimit për të shpallur pavarësinë. Manovra e Serbisë me ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte një fiasko, kurse vetoja e Rusisë e bëri të pamundur universalizimin e pavarësisë në OKB” – Kështu u shpreh analisti Shkelzen Maliqi, në një intervistë për median opozitare serbe ‘Danas’.
Duke përmbledhur zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, 25 vjet nga bombardimet e NATO-s, ai tha se në vitet e para është bërë përparim i dukshëm.
“E vetmja pyetje që ka mbetur e hapur, e cila është aktuale edhe sot, është nëse Serbia do ta njohë realitetin me Kosovën, vetëm de fakto apo de jure” – theksoi filozofi, shkrimtari dhe publicist nga Prishtina.
Maliqi gjithashtu u shpreh se zhvillimet pozitive të fillimit të Pavarësisë, u shoqëruan me “shkaktimin e krizave të sigurisë në veri të Kosovës, me të cilat autoritetet kosovare dhe ato serbe krijuan hapësirë për manovrim, duke krijuar kushte, pothuajse si ato të paraluftës, duke vonuar kështu aktin final të normalizimit”.
I pyetur, nëse ai do ta kishte marrë me mend se situata si në Serbi ashtu edhe në Kosovë do të ishte e tillë një çerek shekulli pas bombardimeve, Maliqi u përgjigj: – Para një çerek shekulli mendova se situata do të ishte shumë më kritike sesa sot, me shumë atentate dhe dhunë, si në Irlandën e Veriut dikur apo aktualisht si në konfliktin izraelito-palestinez. Fatmirësisht nuk ka patur një gjë të tillë. Kanë kaluar shumë momente kritike, por KFOR-i nga njëra anë ka qenë në terren, kurse nga ana tjetër, diplomacia është treguar e shpejtë dhe për fat, nuk pati përshkallëzime të mëdha. Ne pamë gjithashtu se përpjekja e fundit, në shtator të vitit 2023 në Banjskë, për të provokuar një kryengritje të armatosur ose një lloj inskenimi spektakolar terrorist, u shtyp që në fillim.
Duke iu përgjigjur pyetjes se sot, si ai e konsideron, të justifikuar apo jo, ndërhyrjen e NATO-s në vititn 1999, Maliqi deklaroi: – Ndërhyrja ishte absolutisht e nevojshme. Diplomacia dhe presioni nuk mund ta ndalonin Millosheviçin. Një arsye më e madhe ishte shkelja e interesave gjeostrategjike të Perëndimit. Në vitin 1992, presidenti George Bush, në të ashtuquajturën fjalimi i tij drejtuar amerikanëve për Krishtlindje, me vendosmëri deklaroi: Nëse Serbia provokon një konflikt në Kosovë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcat e armatosura”. Nga ana tjetër, Henry Kissinger atë kohë theksoi me cinizëm dallimin mes Bosnjës dhe Kosovës. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në Bosnje, dmth erdhi shumë vonë, sepse lufta ishte lokale, nuk u derdh shumë nga “tenxherja boshnjake” në rajon dhe më gjerë. Lufta e Kosovës ende kishte të bënte me Bosnjën, sepse agresioni serb kundër Bosnjës e turpëroi Evropën. Më shumë se 1500 ditë rrethimi i Sarajevës, shkatërrim i madh, gati 100.000 të vdekur, gjenocidi në Srebrenicë, 200.000 të plagosur, kampe përqendrimi, përdhunim i grave, mbi dy milionë persona të zhvendosur, ishte një kosto e tmerrshme dhe kolaps moral për Evropën, e cila kishte ndërtuar një model të lakmueshme pas Luftës së Dytë Botërore, prosperitet dhe përparim në paqe, por asnjëra nga këto, nuk arriti të parandalonte katastrofën në Bosnje”
Sipas ‘Danas’, megjithatë, shumë pretendojnë se NATO-ja dhe amerikanët nuk ishin aspak të shqetësuar për të drejtat e njeriut, por interesi i tyre ekskluziv gjeostrategjik ishte dominimi i botës.
I pyetur mbi këtë koment, Maliqi theksoi: – Mund të diskutohet edhe mbi këtë logjikë. Sigurisht që ka elementë dominimi, por jo të tipit pushtues, që Amerika po zgjerohet, se synimi i saj është të pushtojë vende të tjera. Ajo eksporton demokracinë dhe tregun e lirë, ndërton institucione të reja në vendet ku ndërhyn. Politika e Amerikës mund të shpjegohet më së miri kur thuhet se ajo luan rolin e policit botëror, pasi bota nuk ka një shembull të tillë që në mënyrë legjitime të ndëshkonte, disiplinonte dhe racionalizonte vendet aggressive apo pushtuese. As Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është një qeveri botërore, megjithëse e dënon agresionin, por pa fuqi për të ndërhyrë. Mund të shihet qartë në shembullin e Ukrainës, se Amerika dhe Perëndimi demokratik, e ndihmojnë Ukrainën të mbrohet dhe të mbijetojë si një vend i pavarur.
Kosova si një vend i vogël dhe i ri falënderon Amerikën dhe shumicën e vendeve perëndimore për ekzistencën dhe mbijetesën e saj. Ne nuk e ndjejmë se jemi të pushtuar për shkak të kampit ushtarak amerikan në Bondstil, përkundrazi na mbron. Ne nuk e kemi luksin të kritikojmë Amerikën apo të kemi frikë prej saj. Serbia nuk duhet të ketë frikë nga Amerika. Nacional-shovinistët dritëshkurtër në Serbi thonë se Amerika punon në interes të shqiptarëve, ndërsa ata në Kosovë, përfshirë kryeministrin tonë, në fakt favorizojnë serbët. Është e qartë, megjithatë, se interesat e Amerikës maten nga aspekti më i gjerë i shqetësimit për stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të rajonit. Si e shihni faktin që çështja Banjska ende nuk është zbardhur. Ende nuk kemi një raport zyrtar për ngjarjen, me detajet, motivet dhe qëllimet e aksionit të dështuar të përpjekjes për të provokuar një rebelim të armatosur. Unë ende dyshoj se autoritetet në Serbi u përpoqën të organizonin një vrasje masive, ndoshta të atyre pelegrinëve fatkeq që ndodheshin në manastir, në mënyrë që të akuzonin pastaj shqiptarët për krimin. Ne kemi pasur masakra të tilla në të kaluarën, të cilat janë kryer nga sigurimi i shtetit në Serbi. Vetë Aleksandër Vuçiç, para disa vitesh pranoi publikisht se të rinjtë serbë që u kositën me armë zjarri në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, u vranë nga pjesëtarët e policisë sekrete serbe me qëllim, për të akuzuar UÇK-në. Çfarë do të ndodhte nëse një skenar i tillë do të ndodhte në Banjskë? Do të kishte më shumë motive dhe më shumë mbështetje që veriu i Kosovës të shkëputet dhe t’i bashkohet Serbisë. Fatmirësisht përpjekja dështoi, pasi në terren po punojnë edhe shërbime të tjera sekrete. Është shumë e mundur që ishin ata që penguan realizimin e këtij skenari të supozuar. Megjithatë, është vetëm një hipotezë, jo një fakt. Por nëse është e vërtetë, siç pretendojnë disa, se qeveria serbe ka qenë në dijeni të skenarit, atëherë kjo nuk reflekton mirë për ish-zëdhënësit e Millosheviçit.
Teksa shumë perëndimorë dhe vëzhgues të pavarur të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, flasin për ashpërsinë e qeverisë së Albin Kurtit dhe sipas Beogradit zyrtar, me lëvizje që praktikisht i detyrojnë serbët në Kosovë të largohen nga shtëpitë e tyre, analisti Shkëlzen Maliqi tha se kryeministri Kurti është një rast i veçantë.
Gjatë intervistës së tij për median opozitare serbe ‘Danas’, shkrimtari dhe publicist i njohur u shpreh: – Albin Kurti është një populist, që erdhi në pushtet falë demagogjisë për duar dhe qëllime gjoja të pastra, por edhe sepse qeveritë e mëparshme në Kosovë, ishin të rraskapitura dhe gjithnjë e më shumë të papëlqyeshme. Ai është një majtist i modës së vjetër, por me karakteristikat e tribunit popullore, i cili investoi shumë në edukimin e të rinjve aktivistë në luftën kundër neoimperialistëve që përdorën ndërhyrjen e vitit 1999 për të krijuar modelin e një shteti të varur në Kosovë, nën kontrollin e kompanive shumëkombëshe. Që kur ai themeloi lëvizjen Vetëvendosje, Kurti besonte se populli i Kosovës fillimisht kishte të drejtën e vetëvendosjes dhe sovranitetit, duke ngatërruar modelet teorike me proceset reale se si shkohet realisht te një shtet sovran. Motoja e tij ishte pavarësia tani dhe menjëherë. Ai gjithashtu ishte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, prandaj edhe sot po mundohet ta përhapë lëvizjen e tij në Shqipëri, ku nuk pati sukses, si edhe në Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Kurti ka një mosbesim të thellë ndaj SHBA-së, edhe pse ndonjëherë në mënyrë retorike pranon se Kosova është e varur nga Amerika dhe NATO, por gjithmonë përpiqet të paraqitet si përfaqësues i vullnetit sovran të popullit të tij, i cili nuk e përkul shpinën përpara presioneve të Amerikës dhe vasalëve të saj evropianë. Imazhi që ai krijon vazhdimisht, është të prezantohet si një politikan ndryshe dhe shumë më i madh se sa ishte Hashim Thaçi, sepse që nga Rambuje-ja e këtej, Thaçi gjithmonë iu nënshtrua presioneve të Perëndimit, firmosi atë që e urdhëruan, privatizoi dhe mundësoi plaçkitjen e pronës shtetërore të Kosovës, gj ë për të cilën Kurti premtoi se do ta rinacionalizonte kur të vinte në pushtet…
Në përpjekjet e vazhdueshme për ta paraqitur dialogun me Serbinë si dialog mes të pabarabartëve, ai gjithmonë gjen mënyra për të penguar procesin, qoftë duke u mbështetur në propozimet e BE-së dhe Amerikës, ose në terren, mbi të gjitha në raport me serbët e Kosovës, ndërmerr masa sovrane sipas marrëveshjeve të nënshkruara para tij në procesin e dialogut nga Hashim Thaçi apo Isa Mustafa si kryeministra, si p.sh. marreveshja për dokumentat personale, apo tani për në dinarin, duke anashkaluar konsultimet me partnerët strategjikë të Kosovës”
“Zhgënjimin e serbëve te Kosovës, të cilët gjatë gjithë kohës janë mashtruar nga autoritetet e Beogradit, se të paktën veriu, nëse jo e gjithë Kosova, do të mbetet pjesë e Serbisë, Kurti po e përdor këtë për të turpëruar Beogradin dhe Vuçiçin personalisht, duke ua ‘dëshmuar’ amerikanëve dhe te tjeret kush eshte dhe cfare perfaqeson presidenti serb, se ai eshte satelit i Putinit, sikur perendimi nuk e di këtë fakt. Ai e akuzoi publikisht sekretarin amerikan Blinken, se është naiv dhe nuk e kupton se kush është djalë i mirë dhe kush është djalë i keq në Ballkan. Kurti i bezdis tmerrësisht të gjithë diplomatët perëndimorë, teksa u mëson demokracinë. Diplomatët amerikanë kohët e fundit kanë deklaruar se nuk pajtohen fare me Albin Kurtin, por se besojnë te popullin kosovar, teksa edhe kanë theksuar se Bashkimin e Komunave Serbe, nëse Albin Kurti vazhdon ta pengojë, do të krijohet edhe pa të” – potencoi analisti Shkëlzen Maliqi.