DOSSIER
Kampi “Artek” në Krime, destinacion për fëmijët e rrëmbyer ukrainas

Kampi legjendar sovjetik “Artek”, dikur simbol i edukimit komunist për fëmijët e BRSS-së, është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë si pjesë e skemës së akuzuar nga Perëndimi për deportimin dhe riedukimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer gjatë pushtimit rus.
Prej tyre, më shumë se 4,000 ndodhen në Artek, një kamp luksoz por i mbyllur në Krimenë e aneksuar, i cili tani funksionon si qendër riedukimi nën kontrollin e autoriteteve ruse.
I ndërtuar fillimisht në vitin 1925 për fëmijët e prekur nga tuberkulozi, Artek u transformua nga regjimi i Stalinit në një koloni edukimi ideologjik. Për dekada me radhë, kampi priste pionierë nga e gjithë bota komuniste. Sot, në një përpjekje për të ringjallur lavdinë sovjetike, ai përdoret nga Kremlini si simbol i “rilindjes ruse”.
Sipas një raporti të Bashkimit Evropian, fëmijët ukrainas në kamp nuk kanë të drejtë të kthehen, dhe shpesh detyrohen të marrin pjesë në rituale patriotike si ngritja e flamurit rus apo këndimi i himnit. Drejtori i kampit, Konstantin Fedorenko, është sanksionuar ndërkombëtarisht për rolin e tij në këtë proces, ashtu si edhe drejtoresha e “programit ukrainas”, Tatiana Makarova, e cila pretendon se qëllimi i tyre është “të eliminojnë traumën psikologjike të fëmijëve”.
Në vitin 2022, Rusia publikoi filmin propagandistik “Kthimi në Artek”, i cili lavdëron kampin si një vend ku “fëmijët mësojnë ta duan atdheun e tyre”. Një mesazh që përplaset fuqishëm me realitetin e sotëm të Artekut – jo më strehë për pionierë, por një simbol i errët i një politike agresive ndaj fëmijërisë

