Connect with us

Bota

1.500 të vrarë brenda ditës, tetori, muaji me humbjet më të mëdha për Rusinë në Ukrainë

Rusia është përballur me muajin më të rëndë në tetor sa i përket viktimave në fushëbetejë prej se nisi lufta në Ukrainë, tha të dielën shefi i Shtabit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vrarë apo plagosur brenda ditës në Ukrainë gjatë muajit tetor, sipas Radakinit.

Rusia nuk e zbulon numrin e të vrarëve të vet në luftën në Ukrainë, por zyrtarët evropianë të Mbrojtjes kanë thënë se numri i përgjithshëm i viktimave në tetor është më i madhi deri më sot.

Radakin tha për BBC se populli rus po e “paguan një çmim shumë të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës që presidenti i tij, Vladimir Putin, e nisi në shkurt 2022.

“Numri i të vrarëve apo plagosur është gati të arrijë në 700.000 për Rusinë. Kjo është dhimbja dhe vuajtja e madhe që kombi rus duhet ta durojë për shkak të ambicieve të Putinit”, tha ai.

Ai tha se, derisa Rusia po shënon përparime dhe po e vë nën trysni Ukrainën, humbjet po i pëson “për kapjen e pjesëve të vogla të territorit”.

Kostoja e luftës, e cila sipas tij është mbi 40 për qind e shpenzimeve publike në mbrojtje dhe siguri, është gjithashtu duke e “shteruar” Rusinë.

Radakin tha se aleatët perëndimorë do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur për mbështetjen amerikane pasi Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në fillim të javës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Advertisement