Connect with us

Kosova

1 milion Javelin/ Daçiç përmend luftën teksa komenton armatimin e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme në mandatin teknik dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, ka komentuar lajmin se Kosova pritet të furnizohet nga Amerika me sistemet antitank’ Javelin’.

Në këtë drejtim, ndonëse e ka pranuar se “Serbia nuk ka forcë ta ndalë një gjë të tillë”, ai ka vazhduar të “luaj të fortin” duke theksuar se “Serbia nuk ka ndërmend të bëjë luftë, por po të donte, Kosovën nuk do ta ndihmonin as një milion ‘Javelin’.

“Bëhet fjalë për një partneritet strategjik afatgjatë nga Amerika për të ndihmuar pavarësinë e Kosovës. Gjithçka që ka ndodhur që nga viti 1999 duhet të merret parasysh. E njëjta Amerikë, por edhe të tjerat, ishin ato që dje e armatosën UÇK-në, dhe tani po bëjnë të njëjtën gjë” – citohet të ketë thënë Daçiç.

Ai gjithashtu shtoi se armatosja e Kosovës është e qartë “që synon forcimin e pavarësisë së Kosovës përmes forcimit të strukturave të saj të sigurisë”.

Por në një pjesë të deklaratës së tij, ai e ka pranuar se “Serbia nuk ka se si ta kundërshtojë” një gjë të tillë, ndonëse siç ka pretenduar ai, “kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

“Serbia duhet të zhvillojë marrëdhënie me ato vende që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe jo vetëm ta njohin atë, por edhe me ato që punojnë në promovimin e saj, madje edhe e armatosin atë. Ne duhet, sepse duam të ruajmë paqen dhe stabilitetin” – ka thënë më tej Daçiç.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, se “Serbia është përfaqësuese e Rusisë”, Dacic u shpreh se arsyeja e vetme për një deklaratë të tillë është se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ai gjithashtu kritikoi Kishën Ortodokse Serbe për refuzimin e pranimit të vizitës së Papës në Serbi, sepse beson se ndikimi i Vatikanit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në botë, duke theksuar se Vatikani, tani për tani, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Advertisement