Connect with us

Bota

10 pikat thelbësore që i hapën rrugën akordit – Çfarë ka ndryshuar në marrëveshjen e mineraleve Ukrainë-SHBA?

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina njoftuan të mërkurën krijimin e një fondi të ri rindërtimi dhe investimi, duke formalizuar një marrëveshje ekonomike midis dy vendeve që synon t’i japë SHBA-ve akses në të ardhurat nga rezervat e mineraleve të rralla të tokës në Ukrainë.

Një marrëveshje, e cila u arrit pas shumë përpjekjesh bisedimesh mes dy palëve, që kulmuan deri me një ngjarje të paprecedente në Zyrën Ovale, të një përplasjeje të ashpër mes Volodymyr Zelenskyt dhe Donald Trump e JD Vance.

Mirëpo marrëveshja ka 10 pika të ndryshuara dhe prej tyre mund të kuptohet pse bisedimet mes palëve kanë zgjatur kaq shumë.

Kjo është një pasqyrë e asaj çfarë ka ndryshuar në marrëveshje:

1. Ishte: Burimet natyrore të Ukrainës do të transferoheshin në pronësi të SHBA-ve derisa të paguhej kompensimi i plotë prej 500 miliardë dollarësh.

U bë: Burimet natyrore të Ukrainës mbeten nën pronësinë e Ukrainës.

2. Ishte: Ukraina po kontribuonte 67% të të ardhurave në fondin e investimeve dhe SHBA-të po kontribuonin 33%, ndërsa pjesa tjetër i mbetej Ukrainës.

U bë: Kontributet ndahen 50%/50%. Gjithçka është e drejtë dhe e barabartë.

3. Ishte: SHBA-të kishin 3 anëtarë të bordit në fond, Ukraina kishte 2, me SHBA-të që kishin shumicën në vendimmarrje.

U bë: Asnjëra palë nuk mban shumicën. (Është një ndarje 3:3).

4. Ishte: SHBA-të aluduan në privatizimin e “Ukrnafta” dhe “Energoatom”.

U bë: Asetet kombëtare të Ukrainës janë të mbrojtura – nuk ka privatizim të “Ukrnafta” ose “Energoatom”.

5. Ishte: Ukraina duhej të kompensonte SHBA-të për ndihmën e ofruar që nga viti 2022.

U bë: Pa borxhe. SHBA-të mund të investojnë dhe të fitojnë, por Ukraina nuk ka detyrime të prapambetura.

6. Ishte: Marrëveshja binte ndesh me rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.

U bë: Marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Ukrainës dhe nuk bie ndesh me pranimin në BE.

7. Ishte: Ukraina duhej të paguante 50% të të ardhurave AKTUALE nga burimet e saj.

U bë: Ukraina kontribuon 50% të të ardhurave nga investimet e REJA në burime, naftë dhe gaz. Të ardhurat aktuale mbeten të pandryshuara.

8. Ishte: Ndryshimet legjislative ishin të nevojshme që marrëveshja të funksiononte.

U bë: Nevojiten vetëm ndryshime të kufizuara dhe të synuara. Marrëveshja do të ratifikohet nga Verkhovna Rada.

9. Ishte: Nuk ka garanci për përfshirjen e SHBA-së në tërheqjen e investimeve.

U bë: SHBA-të do të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve dhe teknologjive shtesë. Fondi menaxhohet nga Korporata e Financave të Zhvillimit të SHBA-ve (DFC).

10. Ishte: Detyrimet tatimore mbi fitimet e fondit.

U bë: Marrëveshja garanton kontribute pa taksa në fond. Pa taksa mbi të ardhurat ose investimet.

Advertisement