Connect with us

Shkrime

10 pikëpyetje të dosjes “McGonigal” dhe Shqipëria

Nga Roland Qafoku

Mallkimi i qeverive shqiptare pas vitit 1990 kanë qenë ngjarjet e paparashikuara. Ndër to renditen tragjeditë natyrore, por veçanërisht skandalet e rënda, lëvizjet politike dhe ngjarje të rënda kriminale, prej të cilave kryeministrat ose janë larguar nga drejtimi i qeverive, ose qeverisja e tyre është tronditur rëndë. Nëse i rendisim ato tregojnë se sa ndikim kanë këto ngjarje dhe skandale në qeverisje dhe te një kryeministër. Ngjarja e 2 prillit në Shkodër në vitin 1991 kur u vranë katër protestues dhe u plagosën 65 të tjerë me armë zjarri kur kryeministër ishte Fatos Nano, solli dorëheqjen e tij për këtë arsye. Tërheqja nga koalicioni i Partisë Demokratike më 4 dhjetor 1991 nga qeveria e Stabilitetit kur kryeministër ishte Ylli Bufi solli dorëheqjen e tij për këtë arsye. Rënia e skemave piramidale në mars 1997 kur kreministër ishte Aleksandër Meksi solli dorëheqjen e tij për këtë arsye. Ngjarja e 12 dhe 14 shtatorit 1998 kur kryeministër ishte Fatos Nano solli dorëheqjen e tij për këtë arsye. Humbja në garën për kryetar të PS të kryeministrit Pandeli Majko ndaj Fatos Nanos më 11 tetor 1999 me 34 vota solli për dorëheqjen e tij për këtë arsye. Nisja më 26 tetor 2001 të një turi në bazë për katharsis në parti të kryetarit të PS Fatos Nano kur kryeministër ishte Ilir Meta solli dorëheqjen e tij më 21 janar 2002 për këtë arsye. Mbytja në afërsi të Karaburunit të 21 personave që po shkonin ilegalisht me gomone drejt Italisë më 9 janar 1924 kur kryeministër ishte Fatos Nano e tronditi rëndë qeverisjen e tij. Shpërthimi i municioneve ushtarake në Gërdec më 15 mars 2008 kur kryeministër ishte Sali Berisha e tronditi rëndë qeverisjen e tij por vetëm koalicioni me LSI pas zgjedhjeve e 2009 ai arriti të qendrojë përsëri në pushtet. Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011 kur u vranë 4 protestues në para kryeministrisë kur kryeministër ishte Sali Berisha e tronditi rëndë qeverisjen e tij dhe kjo ndikoi shumë në humbjen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Ndërkohë, prej afër një jave ka plasur një skandal me përmasa të mëdha me personazh ish-shefin e Kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal dhe aferave të tij me disa personazhe shqiptarë. Pas arerstmit, ai u akuzua zyrtarisht për pastrim parash, bërja e deklaratave të rreme, shkelje të saksioneve ndaj Rusisë, favorizim të oligarkun Oleg Deripaska për të cilin ishte ngarkuar ta hetonte, ka marrë 225 mijë dollarë nga ish-agjenti i SHISH Agron Neza dhe kishte punuar për interes të këtij personi. Në dosje është edhe emri i kryeministrit shqiptar Edi Rama që kishte miqësi me Charles McGonigal. Menjëherë pas publikimit të këtij skandali Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se falë miqësisë dhe dhënies së rryshfetit ndaj McGonigal ka ndikuar që PD të dobësohej duke i atashuar akuza të paqena për lidhje me Rusinë duke stisur rastin e Nick Muzin të publikuar në revistën “Mother Jones”. Për nga përmasat skandali është ekstrem dhe e ka tronditur politikën. Opozita po fërkon duart se ky është një rast shumë i mirë për ta shfrytëzuar të detyrojë Edi Ramën të japë dorëheqjen si kryeministër. Por a është ky rasti që vërtëtë qeveria të tronditet nga themelet dhe Rama të largohet me parimin se edhe një rrjedhje e vogël mund të fundosë një anije të madhe? Janë të paktën 10 pikëpyetje që kërkojnë përgjigje për të sqaruar me fakte pozitën e kryeministrit në të gjithë këtë histori. Dhe sigurisht që kjo bëhet pa marrë pozicionin e një partizani pro dhe kundër, por për të qartësuar gjithçka me fakte.

  1. A ka dijeni ambasada amerikane në Tiranë lidhur me takimet e Charles Mc Gonigal dhe Edi Ramës në Tiranë? Si rregull takime të funksionarëve të FBI-së dhe të institucioneve të tjera kryhen në kordinim me stafin e ambasadës. Si e tillë është mëse normale që ambasada të ketë patur dijeni. Një deklaratë apo një qendrim zyrtar i Ambasadës Amerikane do sqaronte shumë detaje nga i gjithë ky skandal. Mund të sqarohen sa takime janë bërë, ku janë zhvilluar, cila ka qenë tema e bisedimeve në mënyrë që të hidhet dritë për çdo kontakt dhe marrëdhënie të kryeministrit por edhe të autoriteve të tjera shqiptare me ish-shefin e Kundërzbulimit amerikan Charles McGonigal.
  2. A janë kryer takime zyrtare të kryeministrit Edi Rama me Charles Mc Gonigal sipas protokollit të shtetit shqiptar? A janë regjistruar këto takime në protokollin shqiptar apo kanë qenë takime private miqësore mes dy personave që ndonëse mbanin detyra shtetërore, njëri kryeministër i Shqipërisë dhe tjetri shefi i Kundërzbulimit të FBI-së kanë qenë jashtë kohës së punës dhe në privatësi?
  3. A ka patur dijeni SHISH dhe institucione të tjera ligjzbatusese në Shqipëri për këto takime? A kanë qenë këto takime pjesë e punës së SHISH duke u involvuar në të drejtues të këtij institucioni por edhe agjentë të shërbimit sekret shqiptar? A ka një raport nga institucionet e sigurisë për vizitat e tij, takimet dhe bisedat e bëra në Shqipëri?
  4. Në cilin nivel ka qenë njohja e Edi Ramës me Charles McGonigal? A ishte një marrëdhënie personale entuziaste për Edi Ramën që kishte arritur të njihte një shef të Kundërzbulimit amerikan dhe kaq, apo ndikoi realisht te ai për të dëmtuar opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike?
  5. A ka fakte dhe dyshime konkrete në dosje që impikojnë direkt kryeministrin Edi Rama për akuzën korrupsion dhe dhënie ryshfet për përfitim? A është favorizuar nga qeveria kompania që fitoi koncesionin për zonat naftëmbajtëse në Jug të Shqipërisë me pronar Shefqet Dizdarin i lidhur me McGonigal dhe cili është roli i ish-zëvendësministrit Dorian Duçka? Nëse po, cili ka qenë përfitimi i kësaj kompanie dhe i pronarit të saj? Çfarë aktiviteti ka patur studioja ligjore e McGonigal në Tiranë që ia bleu Dizdarit? Çfarë aktiviteti ka kryer dhe a është favorizuar kjo studio ligjore për procese të dryshme që ëshstë involvuar?
  6. Përse ka mospërputhej deklaratash dhe ndryshim të qendrimeve nga Sali Berisha ndaj raporteve të Lulzim Bashës me paratë ruse.

Tha Berisha në 2018: “PD nuk ka patur asnjë kontratë me asnjë kompani ruse. PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga rusët. PD nuk ka patur asnjë kontakt me rus biznesmenë apo të farëdo lloji tjetër”.

Tha Berisha në shtator 2022: “Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.”

Tha Berisha më 26 janar 2023: “Rama paguante Charles McGonigal për të hetuar mbi lobimin me para ruse të PD kur këtë e drejtonte Lulzim Basha. Unë i kam kërkuar Bashës të deklarojë burimin e parave. Raporti i Inteligjencës citonte në mënyrë direkte PD. Berisha e ka dënuar këtë. Por në çdo prononcim timin kam kërkuar që ai të bëjë publik burimin e parave, përndryshe ngelet variant i padiskutueshëm që mund të ketë marrë paratë ruse. Dil e thuaj ku i ke marrë paratë. Deri sa ai nuk e përgënjeshtron, nuk mund të them ndryshe. Charles Mcgonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA, njeriu që njihte e kishte njohuri të jashtëzakonshme për sigurinë dhe ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017-ës e kontrakton për t’i dhënë opozitës goditjen e mëshirës.

  1. Përse akuzat e Sali Berishës ndaj George Soros si autor i dëmtimit të figurës së tij dhe të opozitës shqiptare tashmë u zëvendësua me atë të ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal? A kemi të bëjmë me ndryshim kursi, apo një ngatërresë që në të dyja rastet është shfrytëzuar politikisht nga Sali Berisha?
  2. A ishte incidenti mes ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim një detaj që të bën të dyshosh se marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe SHBA kanë nisur të krisen? Përse ministrja Olta Xhaçka bëri dekalaratë të posaçme për ambasadoren Kim si asnjëherë tjetër duke thënë: “Konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht”. Çfarë fshihet pas kësaj deklarate të paprecedentë?
  3. A është përzgjedhja dhe emërimi i David Kostelanchik një diplomat që njihet si njohës shumë i mirë i çështjeve ruse, si ambasador në Shqipëri pikërisht për të sqaruar, ridimensionuar dhe verifikuar të gjitha akuzat që bëhen për investime në politikën shqiptare të Rusisë?
  4. A do të vijojnë marrëdhëniet e Partisë Demokratike të kryesuar nga Sali Berisha me ambasadorin e ri amerikan David Kostelanchik të jenë të njëjta si me paraardhësen e tij dhe të marrë edhe ai epitetin “guvernator” si ambasadorja Yuri Kim? Pak besohet se ambasadori i ri do ndryshojë kursin e vendimeve të Departamentit të Shtetit ndaj statusit të Sali Berishës, por si do jenë marrëdhëniet e tij edhe me kryeministrin Edi Rama?

 

 

Advertisement