Connect with us

Bota

1000 trupa amerikane zbarkojnë në Siri/ Trump merr bazën ajrore në Damask nga Al-Sharaa

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të vendosin një prani ushtarake në një bazë ajrore në Damask, në kuadër të një plani për të lehtësuar një marrëveshje sigurie që Washingtoni po ndërmjetëson mes Sirisë dhe Izraelit, raporton Reuters, duke cituar gjashtë burime të njohura me çështjen.

Baza ndodhet në hyrje të pjesëve të jugut të Sirisë, që pritet të bëjnë pjesë në një zonë të demilitarizuar, si pjesë e një marrëveshjeje jo-agresioni midis Izraelit dhe Sirisë, ndërmjetësuar nga administrata e presidentit Donald Trump.

Trump pritet të takohet me presidentin sirian al-Sharaa

Presidenti Trump do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, vizita e parë e një kreu shteti sirian në Washington.

Sipas burimeve të Reuters, përfshirë dy zyrtarë perëndimorë dhe një zyrtar sirian të mbrojtjes, SHBA-të po planifikojnë të përdorin bazën për të monitoruar një marrëveshje potenciale midis Izraelit dhe Sirisë.

Pentagon dhe Ministria e Jashtme siriane nuk kanë komentuar menjëherë planin, ndërsa zyra presidenciale dhe Ministria e Mbrojtjes siriane nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet e dërguara.

Një zyrtar i administratës amerikane tha se SHBA-të “vlerësojnë vazhdimisht pozicionin e nevojshëm në Siri për të luftuar efektivisht ISIS-in” dhe nuk komenton lokacionin e forcave.

Përgatitjet dhe testimet në bazë

Një zyrtar ushtarak perëndimor tha se Pentagon ka përshpejtuar planet gjatë dy muajve të fundit me disa misione vëzhgimi në bazë, të cilat konfirmuan se pista e gjatë e bazës është gati për përdorim të menjëhershëm.

Burime të tjera siriane thanë se bisedimet teknike janë fokusuar te logjistika, survejimi, furnizimi me karburant dhe operacionet humanitare, ndërsa Siria do të ruajë sovranitetin e plotë mbi bazën.

Zyrtari sirian shtoi se avionë transportues C-130 amerikanë kanë fluturuar në bazë për të testuar pistën, dhe një roje sigurie konfirmoi se avionët amerikanë kanë zbarkuar si pjesë e “testeve operacionale”. Ende nuk dihet se kur personeli ushtarak amerikan do të vendoset aty.

Përvojë e ngjashme në rajon

Ky plan i ri duket se pasqyron prezenca të tjera amerikane në rajon që monitorojnë marrëveshjet për ndalimin e armiqësive: një në Liban për ndalimin e konflikteve midis Hezbollah dhe Izraelit, dhe një tjetër në Izrael për marrëveshjen Trump midis Hamas dhe Izraelit.

SHBA-të kanë tashmë trupa në veri-lindje të Sirisë, si pjesë e një përpjekjeje dhjetëvjeçare për të ndihmuar forcën e udhëhequr nga kurdët kundër ISIS-it. Në prill, Pentagon deklaroi se do të zvogëlojë numrin e trupave në 1 mijë.

Al-Sharaa ka thënë se çdo praninë amerikane duhet të miratohet nga qeveria e re siriane, ndërsa Siria pritet të bashkohet së shpejti me koalicionin global të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS.

Presioni për marrëveshje me Izraelin

Burime pranë bisedimeve thanë se Uashingtoni ka ushtruar presion mbi Sirinë për të arritur një marrëveshje para fundit të vitit, dhe ndoshta para vizitës së Al-Sharaa në Washington.

Më 12 shtator, komandanti i CENTCOM, Admiral Brad Cooper, vizitoi Damaskun dhe zhvilloi bisedime mbi kontributin e Sirisë në luftën kundër ISIS dhe mundësinë për të arritur “një Siri të stabilizuar në paqe me veten dhe fqinjët”.

Advertisement