Kronike
120 mijë eurot i kishte për kurimin e tij, vdes xhaxhai i Alda Klosit
Prokuroria ende nuk ka mbyllur hetimet për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e Alda Klosit, ish-drejtoreshës së koncesioneve dhe të kabinetit të ish-ministrit Ahmetaj.
Po ashtu, asgjë nuk dihet as për origjinën e mbi 400 mijë të tjerave të gjetura në shtëpinë e sanitares Rozeta Dobi. E ndërkohë, një lajm i trishtë mbërrin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërron jetë pas përballjes me një sëmundje të rëndë xhaxhai i Alda Klosit, Ylli Çika.
Klosi ka pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait për mobilimin e shtëpisë apo dhe për t’i ruajtur ato. Por burime jo zyrtare thanë për A2 CNN se familja e Ylli Çikës ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori, ndërsa kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori.
Diçka e tillë vë në vështirësi gjetjen e burimit të parave, ndërsa prokurorja Mirela Zavalani i tha A2 CNN se dosja vijon të jetë në hetim dhe se prokuroria ende nuk ka dalë në një konkluzion sa u përket deklarimeve të ish-zyrtares. Pas njoftimit të policisë nga vajza e saj se shtëpia e marrë me qira ishte vjedhur, Alda Klosi tha në polici se kishin marrë 120 mijë euro dhe disa sende me vlerë.
Pas arrestimit të sanitares dhe djalit të saj, policia gjeti në shtëpinë e familjes Dobi dhe 400 mijë euro të tjera të fshehura në tubin e aspirimit. Vetë Rozeta Dobi tha se paratë i kishte marrë në shtëpinë e Klosit, ndërsa saga e pronësisë së 400 mijë eurove vijon të mbetet mister.