Shkrime
1240 në total/ Kush janë ata që Pëllump Pilinçi me limuzinë do ti fusë në burg pasi të marr pushtetin

Nga Thoma Gëllçi
Në Vlorën historike, ku dikur flamuri i pavarësisë u ngrit krenar nga Ismail Qemali, këtë herë u valëvit një tjetër shpresë, po aq e madhe dhe po aq e lavdishme. Kreu i partisë “Shpresa Demokratike”, Pëllump Pilinçi, zbarkoi në Vlorë si perandori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Shqiperisë. Jo më me karrocën me nje kalë që mbetej baltrave të Myzeqesë, por me limuzinën e tij të zezë që mbante në të dy anët flamurin amerikan dhe atë shqiptar — sepse Shqipëria e re do të jetë edhe e shqiponjave me dy kokë shqiptare por edhe e shiponjës me nje kokë amerikane. Përreth, një rrethim bodyguardësh aq seriozë, sa dukej sikur ruanin kufijtë e rinj që Pilinçi sapo kishte vizatuar në mendje.
Dukej qartë se tashmë ka mbërritur opozita e vërtetë e Edi Ramës. Ky ishte një moment historik, sepse ai nuk është vetëm opozitë e Edi Ramës por edhe opozita e opozitës, opozita e partive të reja që ende nuk ua mban mend emrin askush, dhe madje edhe opozita e pretendentit të fronit mbretëror të Shqipërisë.
Pilinci hyri me hap të sigurt në podium, e nisi fjalimin me një zë që përplasej mes solemnitetit dhe bindjes së plotë se përpara kishte popullin e tij të ardhshëm. “Erdhi koha juaj!”, shpalli ai. “Duan apo nuk duan, Shqipëria do të bëhet me kufi natyror! Shqipëria e Maqedonisë së Aleksandrit, Mali i Zi me princat e malësisë, dhe toka jonë deri në Beograd!”
Pastaj erdhi qeveria e re: 13 ministra që ai i quajti “sekretarë” sipas modelit amerikan, dhe 3 drejtorë që s’mund të përmendeshin se ishin “tepër sekret”. Një sekret kaq i madh sa edhe vetë FBI-ja shqiptare, që ende nuk ka zyrë, nuk e di.
E gjithë kjo u mbështet me një premtim të fortë, të pastër, të palëkundur: shpëtimi i Shqipërisë do të vijë nga arrestimet. Arrestime masive, spektakolare, patriotike — nga socialistët tek demokratët, nga deputetët tek “deputetët e vërtetë” që i di vetëm Pilinçi. Sipas tij, janë gjithsej 1240 të tillë që duhet të futen pas hekurave. Nga ku doli ky numër? Nga e njëjta vend ku dalin gjithmonë numrat në politikën shqiptare: nga imagjinata e zjarrtë e tribunës.
Pilinci nuk harroi as plagën e madhe të mërgimit: “kjo- tha ai – është toka e shqiponjave, jo e indianëve, pakistanëve, çifutëve, izraelitëve të çdo race” që sipas tij partitë e tjera po na i sillnin.
Publiku nuk ishte i sigurt nëse fliste për një plan të vërtetë emigracioni apo për ndonjë skenar filmi ku shqiptarët mbrojnë kufirin nga një flotë anijesh nga e gjithë bota.
Në mes të fjalimit, ndërsa dielli digjte mbi flamuj, Pilinci arriti kulmin e retorikës patriotike: “Ne kemi ardhur për t’ju çliruar! Kosova nuk është ende e lirë, sepse flamuri i saj është blu, ngjyrë greke dhe kafe sebe! Do ta pastrojmë nga këto ngjyra të huaja!”
Në fund, limuzina e zezë e Pilinçit u nis ngadalë, e ndjekur nga autokolona e gjatë, duke lënë pas sheshin ku valëviteshin flamujt dhe njerëzit që diskutonin.
Dhe ashtu, nën hijen e flamujve dhe bodyguardëve, Shqipëria u kthye edhe një herë në skenën e preferuar të farsës politike, ku shpëtimi kombëtar matet gjithmonë me numrin e njerëzve që priten të futen në burg.
Për të pranishmit u shpernda edhe nje broshurë e titulluar
Vizioni politik i Pëllump Pilinçit
Do të zbatohet sapo të fillojnë arrestimet
- Shqipëria do të ketë kufij natyrorë, të shënjuar nga malet, lumenjtë dhe fjalët e mia. Nëse një lumë nuk përputhet me hartën time, lumi do të ndryshojë drejtim.
- Shqipëria do të shtrihet deri në Beograd. Nëse Beogradi nuk pajtohet, atëherë Beogradi do të shpallet “Qytet Shqiptar i Përkohshëm” deri në njoftim të dytë.
- Çdo kryebashkiak do të bëhet guvernator i shtetit të vet në Federatën Shqiptare. Guvernatorët do të mbajnë kapele “cowboy” mbi kostum kombëtar për të treguar se janë tradicionalë, por edhe modernë.
- FBI-ja shqiptare do të ketë zyrat e saj pranë detit, me pamje nga horizonti, që të shohë çdo rrezik që vjen nga përtej dallgëve. Rreziku i parë: anijet me ide të huaja.
- Kosova do të shpallet plotësisht e çliruar sapo flamuri i saj të lajë ngjyrën blu dhe të marrë ngjyrën “kuq e zi” të aprovuara personalisht nga unë.
- Çdo natë në orën 6 do t’u bëhet thirrje patriotëve të rinj të kthehen nga mërgimi. Kush nuk kthehet brenda 48 orësh do të shpallet “patriot i vonuar” dhe do të ketë nevojë për certifikatë justifikimi.
- Asnjë indian, pakistanez, çifut, izraelit apo i çdo race tjetër nuk do të hyjë në Shqipëri pa leje speciale nga Ministria e Shqiptarëve të Pastër, që do të ketë një zyrë të madhe përpara aeroportit dhe zero dokumente për të dhënë.
- 1240 deputetë dhe ish-deputetë do të arrestohen. Lista do të zgjatet nëse ndonjë tregon shenja nervozizmi kur më sheh në televizor.
- Shqipëria do të ketë vetëm një opozitë dhe një pushtet : opozitën time dhe qeverinë time. Opozita e Ramës, opozita e opozitës, opozita e partive të reja dhe opozita e fronit mbretëror do të bashkohen në një korr: “Rroftë opozita e vetme që do na arrestojë të gjithëve njësoj!”
- Historia do të rishkruhet. Në librat e historisë do të ketë dy kapituj kryesorë: “1912 – Pavarësia” dhe “2025 – Pilinçizimi”. Të dyja do të kenë flamuj, por në timin flamuri amerikan do të jetë përkrah atij shqiptar, si simbol i miqësisë dhe sponsorizimit moral.
Në fund të testamentit, Pëllump Pilinçi, me dorë të palodhur, shtoi me shkrim dore:
“Shqipëria do të shpëtohet jo nga fjalët, jo nga idetë, por nga arrestimet. Arrestimet janë oksigjeni i kombit.”
Dhe kështu, mes flamujsh që valëviteshin, bodyguardësh që shikonin drejt horizontit, dhe turmash që nuk ishin të sigurta nëse duhet të qeshnin apo të luteshin, u mbyll një nga dokumentet më madhështore të historisë sonë të re – një dokument që, si çdo komedi e mirë, mund të luhet në çdo qytet të Shqipërisë, dhe të duket po aq e besueshme. Dhe regjisori, nga zyra e kryeministrisë, rri dhe shijon.

