Shkrime
15 milionë dollarë në vit, një shqiptar në gjykatën amerikane
Quhet Ylber Dauti dhe përbën një rast të veçantë të suksesit shqiptar në drejtësinë amerikane. Mjaft të përmendësh se vetëm për vitin 2023 studio e tij ligjore, “The Dauti Laë Firm”, e stacionuar në Manhatan, Nju Jork, u dha klientëve, më shumë se 15 milionë dollarë. Mjafton kjo shifër për të kuptuar se kemi të bëjmë as më pak dhe as më shumë me një nga emrat më të konsoliduar në avokatinë amerikane. Njëra nga ato çështje që bëri jo pak bujë në vendin përtej oqeanit, ishte mbrojtja në Gjykatën e Apelit të një klienti shqiptar, i cili ishte aksidentuar në punë.
Në momentin e aksidentit, punëdhënësi nuk kishte telefonuar ambulancën por e kishte dërguar klientin shqiptar me makinën e tij tek një spital në Bronks. Në spital, punëdhënësi, me qëllim që të fshihte gjurmët e fajit të tij, për mungesën e kushteve të sigurisë në punë, kishte deklaruar se klienti ishte rrëzuar diku në trotuar, në rrugë. Ky i fundit, kishte pak kohë në SHBA dhe nuk fliste ende anglisht, duke mos qenë në gjendje që të jepte një version të saktë të asaj që kishte ndodhur. Në këto kushte Gjykata e Shkallës së Parë i kishte dhënë të drejtë punëdhënësit, i cili pretendonte se aksidenti kishte ndodhur në rrugë, kjo nisur edhe nga deklarimet në spital. Por në Apel, u vërtetua e kundërta, për faktin se jo vetëm që klienti nuk fliste anglisht, por edhe falë mbrojtjes efektive të bërë nga avokati, Dauti.
“Pasi paraqitëm argumentat para trupit gjykues, Gjykata e Apelit e përbërë nga 5 gjyqtarë vendosi unanimisht, të rrëzojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi mospranimin e dokumentave të spitalit si provë dhe si të tillë dokumenatat nuk mund ti prezantoheshin jurisë. E thënë ndryshe, pala tjetër nuk do të lejohej të paraqiste gjatë gjyqit para jurisë ato dokumenta të spitalit, të cilat diskutonin mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti. Pak kohë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, pala tjetër përfundimisht u dorëzua duke rënë dakort që të dëmshpërblejë klientin shqiptar me një shumë disa milionë dollarëshe”, sqaron avokati.
Duhet thënë se tashmë, Ylber Dauti ka krijuar një profil të lartë profesionisti, ndaj nuk është rastësi që shumë shqiptarë kanë besuar fatet e fatkeqësive të tyre, por që fatmirësisht për ta fundi ka qenë i lumtur. Me sukseset gjithnjë në rritje, me klientë të të gjitha shtresave, fushave, interesave e nacionaliteteve të ndryshme, avokat Ylber Dauti ka krijuar e konsoliduar një emër të nderuar në avokatinë amerikane dhe atë ndërkombëtare pasi ai është i licensuar në Amerikë, Angli dhe Shqipëri.