Kronike
15 pasuritë që SPAK i bllokoi Arben Lamçjajt, mes tyre ish-vila “Gjuta” dhe hoteli pas Piramidës
Një kompleks vilash në zonën e Lundrës, hotel, kompani ndërtimi dhe prona të ndryshme janë sekuestruar gjatë muajit Gusht 2024 nga SPAK, të cilat besohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal dhe që zotërohen nga Arben Lamçja dhe biznesmeni Arjan Ormenaj.
Bëhet fjalë për 15 pasuri që janë të regjistruara në emër të Arben Lamçjas, bashkëshortes së tij Manjola Hysenaj, Gentian Paruca, Eduard Petalli, Dile dhe Fatmir Petalli.
Pasuritë janë vënë në bllokim, pas një hetimi të kryer përmes bisedave në aplikacionin “Sky” që Arben Lamçja ka kryer me vëllezërit në Dubai, Franc dhe Hajdar Bako, të cilët një pjesë të fitimeve nga aktiviteti i trafikut të drogës, i kanë investuar në Tiranë.
Valës së sekuestrimit nuk i ka shpëtuar as ish-vila “Gjuta” që ndodhet në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë, e cila është marrë me qira nga vëllezërit Çopja me qëllim ngritjen e një biznesi aty.
Sekuestrimit nuk i ka shpëtuar dhe një biznes në qendër të Tiranës, i quajtur Hotel “Domus”, i cili ndodhet pas Piramidës në kryeqytet.
Fillimisht, ky biznes ishte në pronësi të Xhino Kazazit dhe Dhimitër Galloshit.
Por këta të fundit në 30 janar 2020 vendosin t’ia shesin këtë biznes në qendër të Tiranës, Arben Lamçjajt, kundrejt një vlerë qesharake prej 100 mijë lekë të vjetra.
Pas pagimit të kësaj shume jashtë zyrës së noterit, Lamçja bëhet pronar i këtij biznesi me vlerë qindra mijëra euro.
Por 39 ditë nga blerja e kësaj pasurie për vetëm 100 mijë lekë të vjetra, pronari i ri Arben Lamçja vendos të heqë dorë nga ky biznes duke ia shitur aksionet në 11 mars 2020, Manjola Hysenajt, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e tij.
Shitja e aksioneve është kryer me të njëjtin çmim që Albert Lamçja e kishte blerë 1 muaj e gjysëm më parë nga Xhino Kazazi dhe Dhimitër Galloshi.
Valës së sekuestrimeve nuk i kanë shpëtuar dhe bizneset apo pronat e biznesmenit Arjan Ormenaj. 18 pasuri të regjistruara në emër të “Elba Beton” dhe vetë kjo kompani janë sekuestruar, përfshirë këtu dhe disa llogari bankare.
Kujtojmë që disa prej këtyre pasurive në Elbasan dhe Tiranë, janë bllokuar dhe në 28 korrik 2016 nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Por me vendimin e 5 Prillit 2017, Gjykata e Lartë ka cilësuar të paligjshme sekuestron e vendosur ndaj pronave dhe biznesit të “Elba Beton”, duke i liruar ato.
Sipas Gjykatës së Lartë, këto pasuri kanë qenë fillimisht të hapura nga Arben Lamçja dhe më pas përmes kontratave të rregullta noteriale, ai ja ka shitur kundrejt 170 milion lekëve, dy biznesmenëve nga Elbasani Arjan Ormenaj dhe Besnik Rami./OraNews