Politike
‘150 mijë euro…’/ Berisha-Ramës: Fjete me 30 veta në hotelin më të shtrenjtë të New York
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e mbrëmjes së sotme, ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, Rama fjeti me 25-30 vetë në hotelin më të shtrenjtë të planetit dhe nuk deklaroi asnjë pagesë.
‘Fjeti me 25-30 vetë në hotelin ‘The Gregorian’ mu në zemër të zonës më të kushtueshme të planetit’, u shpreh Berisha gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’.
Më tej Berisha thumboi drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, se këto shkelje të ligjit nuk përbëjnë vepër penale.
Deklarata e plotë:
Edi Rama 10 ditë më parë ishte në Nju Jork.
Miq, ai udhëtoi më një suitë të paktën 25-30 shoqërimesh.
Ai fjeti në një hotel me 25-30 vetë ‘The Gregorian’ mu në zemër të Manhatanit, të zonës më të kushtueshme të planetit.
Imagjinoni ju, një kompani e tërë të pushtojë suitat dhe dhomat e hotelit më qendror të metropolit të botës.
Kush i pagoi, të kujt ishin paratë?
Në çdo vend të botës kryeministri do ishte i detyruar të tregojë për çdo qindarkë, por këtu këto shkelje të tmerrshme ligji ia mbulon Dumani, ia mbulojnë mercenarët e organizatës kriminale të Skapit.
Se mos ishte vetëm hoteli, jo, jo.
150 mijë euro kushtonte reklama në Manhatan, reklama për Ediskobarin, për narkokryeministrin e vetëm në Europë.
Por a ishte vetëm reklama? Jo nuk ishte vetëm reklama.
Salla më luksoze e prenotuar me 700 vende, ku sipas disa burimeve vendet kushtonin nga 250-250 dollarë sipas vendit ku ishin vendosur.
Po drekat, po darkat e këtyre zyrtarëve që zhgërryhen, që darkojnë në St. George me 10 mijë euro, me biftekë 1 mijë dollarë. Sa kushtuan të gjitha këto?
Të gjitha këto në një kohë që u thonë pensionistëve se pensionet nuk i rrisim dot, se nuk ua marrim dot t’ua japim ju.
Po biletat në Madison Square, 6 bileta, me mace e minj në stadium ky, tifoz i madh, ky basketbollist i dështuar bankine, kush ia pagoi? A dihet kush ia pagoi biletat?
Ia pagoi Marko Rosini, ia paguan mafia e Nju Jorkut.
Kush i pagoi ato bileta, a dini gjë? M’i paguan, thotë. Cili investitor strategjik t’i pagoi ty?
Si mund të të paguajnë ty në një kohë kur ligji shqiptar nuk të lejon kurrë dhuratën mbi 200 euro?
A nuk është kjo një shkelje e ligjit, 1500 herë në qoftë se ti ke shpenzuar 30 apo 50 mijë euro bileta?
Ku i more, kush t’i tha, kush të bleu me këto para o i shitur që shitesh edhe për 5 lekë se nuk ke nder as karakter?