Connect with us

Kronike

16 mijë të vdekur/ Shuhen shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja

Numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Sirinë veriore i ka kaluar 16 mijë persona. Ndërkohë që pothuajse janë shuar shpresat për mijëra persona të tjerë të mbetura nën rrënoja pasi kanë kaluar më shumë se 72 orë që nga lëkundja e fuqishme prej 7.9 ballë që solli shkatërrimin e dhjetëra mijëra ndërtesave. Sipas shifrave, raportohet që të plagosur kanë mbetur mbi 62 mijë persona. Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, ka mbrojtur reagimin e qeverisë së tij ndaj dy tërmeteve katastrofike, duke thënë se ishte e pamundur të përgatitej për shkallën e katastrofës. Kritikët pretenduan se përgjigja e shërbimeve të urgjencës ishte shumë e ngadaltë dhe qeveria ishte e përgatitur dobët. Erdogan pranoi se qeveria kishte hasur disa probleme, por tha se situata tani ishte nën kontroll. Udhëheqësi i partisë kryesore opozitare të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu nuk u pajtua. “Nëse ka një person përgjegjës për këtë, ai është Erdogan,” tha ai. Presidenti e hodhi poshtë akuzën dhe tha se kërkohej bashkim pas katastrofës. “Në një periudhë si kjo, nuk mund t’i shqetësoj njerëzit që kryejnë fushata negative për interesa politike,” u tha ai gazetarëve në Hatay. Mijëra të mbijetuar kanë kaluar natën e tretë në kushte tepër të ftohta atmosferike, me shpresën që nën rrënoja të ketë të tjerë të afërm të tyre të mbijetuar. Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ketë lëndime të konsiderueshme të shkaktuara nga temperaturat e ngrira në mesin e të mbijetuarve të tërmeteve. BE-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 3.5 milion euro ndihmë në Siri pas një kërkese të qeverisë për ndihmë, por tha se ndihma duhet të dërgohet si në zonat e kontrolluara nga qeveria ashtu edhe nga rebelët. Më shumë se 1,500 njerëz kanë vdekur vetëm në provincën Idlib dhe një këshilltar i presidentit sirian Bashar al-Assad tha se sanksionet po e ndalonin Sirinë të merrte ndihmën e nevojshme. “Ne nuk kemi mjaftueshëm buldozerë, nuk kemi vinça të mjaftueshëm, nuk kemi mjaftueshëm naftë për shkak të sanksioneve evropiane dhe amerikane,” tha Bouthaina Shabban.

Advertisement