Shkrime
Arian Galdini: Mafia farmaceutike…Koha do flasë qartë

Më kujtohet në janarin e 2015, kur unë denoncova mizorinë e Sistemit Shëndetësor Shqiptar dhe hapa Kutinë e Pandorës mbi aferat korruptive të krerëve të Shëndetësisë Shqiptare me në krye Edi Ramën, disa ish-miqtë e mij, sajonin paralelisht disa Protesta të Mjekëve dhe Infermierëve kundër Testimit që po u bëhej nga Ministria e Shëndetësisë.
Fillimisht, me naivitet të plotë, unë nuk po e kuptoja çfarë po ndodhte…
Thjesht i pyesja këta ish – miqtë e mij:
Ore, se nuk e kuptoj çfarë doni ju atje tek Spitalet me TV nga mbrapa në mbështetje të mjekëve dhe infermierëve?
Po i mbështesim, – më thoshin këta.
Po në emër të kujt i mbështesni? Për çfarë i mbështesni? Ju nuk jeni as mjekë e as infermierë… – ua ktheja unë.
I mbështesim si Shoqëri Civile. – më sqaronin ata.
Nuk e kuptoj, – u përgjigjesha unë. – Nuk e kuptoj. Sepse në Shqipëri dhe vetëm në Shqipëri ndodh që ca “Civilë”, ca “të Shoqërisë Civile” janë bërë si task force protestash e shkojnë ngado e kudo ku ka Protesta a zhvillime.
Nuk e kuptoj pse duhet të shkoni ju atje? – u thoja – Mjekët dhe Infermierët janë Komunitet i vetëmjaftueshëm. I kanë të gjitha. Kanë numrat, kanë prestigjin, kanë liderët, janë personazhe publikë, e nuk u mungon as media e as vëmendja e publikut. Për çfarë u duheni ju atje?
Duhet ti mbështesim patjetër. – ma prisnin shkurt, këta ish – miqtë e mij.
Po pse nuk vini të më mbështesni mua? – i pyesja naivisht. – Jam vetëm përballë Qeverisë, Ministrit të Korruptuar dhe Mafias Farmaceutike.
Ata justifikoheshin duke më thënë se çështja ime ishte tepër e madhe e ata duhej të mbështesnin kauza të vogla që kishin nevojë për ta.
E unë debatoja me ta se ka dispropocion logjik sepse unë jam vetëm duke u përballur me një Çështje të Madhe si qytetari përballë Qeverisë së Korruptuar dhe Mafias Farmaceutike, ndërsa mjekët dhe infermierët janë mijëra dhe nuk kanë nevojë për askënd që ti mbrojë e nuk rrezikojnë asgjë. Ndërsa unë po rrezikoj kokën dhe familjen.
Ja kështu nën këto debate asokohe, më takon një miku im gazetar e më thotë: Ore Arian, po a nuk e kupton që ata miqtë e tu janë pjesë e lojës? Ata shkojnë tek Protesta e Mjekëve dhe Infermierëve, sepse i shërbejnë Sistemit. Kur ti bën thirrje që qytetarët e zemëruar me mizorinë e Shëndetësisë, Korrupsionin në Shëndetësi dhe me ilaçet e skaduara e fallcifikuara, me siguri kamerat dhe mediat do vijnë tek ty. Por kur dikush sajon një tjetër Protestë, me një komunitet njerëzish të famshëm siç janë mjekët dhe doktorët, atëherë kamerat dhe mediat do shkojnë atje. Sidomos kur njoftimin e mediave e bëjnë këta “miqtë e tu” të “Shoqërisë Civile”… Duan të të lënë vetëm dhe mos të të lejojnë të kesh impakt publik.
Kështu më tha, gazetari.
Sinqerisht nuk e kisha menduar kurrë këtë.
Sepse nja 2 prej këtyre “Civilëve” i kisha dhe i dija dhe i konsideroja miq prej vërteti.
Atëherë i thërras dhe ua them në sy këtë që më tha gazetari…
Miqtë që u bënë prej atij momenti “ish – miq” u mrrolën dhe u larguan pa bërë zë.
Vazhduan bashkë ata si Task Force civile, nga Doktorët tek Minatorët, në Zharëz, tek Teatri, kudo e ngado.
Kur unë publikova asokohe Skandalet e Mafias Farmaceutike dhe Skandalet e Konçensioneve në Shëndetësi, këta heshtën, më lanë vetëm.
Tani këta janë ngado në media, e unë i ndaluari e penguari i madh…
Por koha është gjithmonë dëshmitare dhe sprovuese e të vërtetave të mëdha.
Koha do flasë qartë.



