Connect with us

Shkrime

21 Janari, protesta që u shndërrua në tragjedi

Para 21 janarit 2011, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika ishin qytetarë të zakonshëm, emra të panjohur për shumicën e shqiptarëve.
Në atë ditë, ata humbën jetën në Bulevardin Kryesor të Tiranës, përballë Kryeministrisë, duke shënuar një ngjarje që do të mbetej në kujtesën kolektive.
Protesta masive qytetare u kthye në një tragjedi shtetërore, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi të cunguar.
Shëndet paç me Oledro
Muaji janar i vitit 2011 e gjeti skenën politike shqiptare thellësisht të polarizuar. Kulmi i tensionit u arrit më 11 janar, kur emisioni investigativ “Fiks Fare” transmetoi një video-përgjim të realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.
Në pamje shfaqej Ilir Meta, në atë kohë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke diskutuar për një tender hidrocentrali, ku përmendej shifra 700 mijë euro.
Videoja, e realizuar në mars 2010 në zyrën e Priftit, u cilësua nga ky i fundit si autentike. Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim reaguan menjëherë, duke e quajtur materialin një montazh të fabrikuar për qëllime politike. Meta refuzoi dorëheqjen dhe deklaroi se shifrat e përmendura lidhen me dëm ekonomik të një kompanie, jo me ryshfet.

Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, mblodhi kabinetin qeveritar, por nuk e komentoi publikisht videon. Ndërkohë, Dritan Prifti dorëzoi në Prokurori kasetën origjinale dhe u zotua të bashkëpunonte me hetimin.
Thirrja për protestë
Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës dhe lider i opozitës, e cilësoi videon si provë të korrupsionit qeveritar dhe kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Ai ftoi qytetarët në një protestë më 21 janar 2011, duke e paraqitur atë si një reagim qytetar për dinjitet dhe drejtësi.
Ndërkohë, më 16 janar, Ilir Meta dha dorëheqjen nga postet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Kryeministri Berisha e pranoi dorëheqjen, duke deklaruar se Meta ishte viktimë e një skenari politik dhe se koalicioni me LSI do të vijonte.
Më 21 janar, mijëra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë. Protesta u shoqërua me përleshje mes protestuesve, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Pas disa orësh tensioni, Garda hapi zjarr me plumba të vërtetë.
Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda u vranë në vend. Aleks Nika ndërroi jetë disa ditë më vonë si pasojë e plagëve të marra. Gjashtë protestues të tjerë mbetën të plagosur.
Partia Socialiste e cilësoi ngjarjen si krim shtetëror dhe fajësoi drejtpërdrejt ish-kryeministrin Berisha. Ky i fundit, në reagimet e tij publike, e cilësoi protestën si një përpjekje për grusht shteti dhe mohoi përdorimin e armëve nga Garda, duke hedhur hipoteza të tjera mbi shkakun e vrasjeve.
Tensionet pas ngjarjes dhe reagimet ndërkombëtare
Pas 21 Janarit, opozita thirri një marshim homazh më 28 janar.

Paralelisht, qeveria njoftoi një tubim në të njëjtën ditë, çka shkaktoi shqetësim te partnerët ndërkombëtarë.
BE dhe SHBA ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Tubimi qeveritar u anulua, ndërsa marshimi i opozitës u zhvillua në heshtje dhe pa incidente.
Hetimet dhe vendimet gjyqësore
Prokuroria nisi hetimet për ngjarjet e 21 Janarit. Për vrasjet e tre prej viktimave, gjykatat shqiptare vendosën se ato kishin ndodhur nga pakujdesia. Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, u dënua me një vit burg, ndërsa gardisti Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Paralelisht, vijoi edhe procesi gjyqësor për videon Meta-Prifti. Pas një procesi të gjatë, Gjykata e Lartë e shpalli Ilir Metën të pafajshëm në janar 2012, duke rrëzuar ekspertizat e huaja dhe duke u mbështetur në raportin e ekspertëve shqiptarë që e konsideruan videon të manipuluar.
Rihapja e dosjes
Më 21 janar 2021, Policia e Tiranës kërkoi zyrtarisht rihapjen e hetimeve për çështjen e 21 Janarit.
U kërkua ri-ekspertim për drejtimin e qitjes ndaj Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe për plagosjen e disa protestuesve të tjerë. Gjithashtu, u kërkua ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe ripyetja e ish-efektivëve të Gardës që ishin në shërbim atë ditë..
Zhvillimet e fundit
Prokuroria e Posaçme SPAK ka thirrur për të dhënë sqarime figura kyçe të politikës shqiptare, përfshirë Ilir Metën, Sali Berishën dhe ish-presidentin Bamir Topi, në cilësinë e personave me dijeni.
Socialistët, me në krye kryeministrin Edi Rama, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur zbardhjen e plotë të vrasjeve të 21 Janarit.
Pesëmbëdhjetë vite pas asaj dite, 21 Janari mbetet një nga provat më të vështira për drejtësinë shqiptare dhe një ngjarje që vijon të kërkojë përgjigje.

AP

Advertisement