Connect with us

Shkrime

21 prilli në dilemë, Veriu mbetet në syrin e Beogradit

Politologu serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, ka thënë se thirrjet e Listës Serbe për të bojkotuar referendumin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore – të banuar me shumicë serbe – është një lloj strategjie për të “shpëtuar fytyrën” e tyre, dhe konsideroi se serbët e Kosovës nuk i besojnë më kësaj partie.

“Bojkoti është një lloj strategjie daljeje apo strategjie për të shpëtuar fytyrën, sepse ato parti serbe konsideruan se do të jetë shumë e vështirë të arrihet pragu, pra të dalin mbi 50 votues për të votuar për shkarkimin apo kryetarët e komunave. Prandaj, në fakt është më e leverdishme që ata të bëjnë thirrje për bojkot pastaj të marrin pjesë në referendum dhe t’i japin legjitimitet pa arritur rezultatin e dëshiruar” – deklaroi Gogiç duke shtuar se ka pengesa të dukshme që do ta vështirësonin suksesin në referendum. Së pari, sipas tij, “numri i votuesve në regjistrin e zgjedhësve duket se është i fryrë” dhe “Së dyti, shumë serbë e lanë Kosovën veriore gjatë viteve të fundit për shkak të jostabilitetit. Gjithashtu ata që jetojnë atje ende ndoshta nuk ndihen mjaft të sigurt për të dalë për të votuar ose nuk shohin asnjë qëllim për ta bërë këtë”.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur keqardhje për thirrjen e Listës Serbe dhe partive të tjera për të bojkotuar referendumin, si edhe kanë kërkuar që ky veprim të rishqyrtohet.

“Njerëzit në Veri mendojnë se votimet në referendum nuk janë të dobishme sepse mendojnë se qeveria do të gjente një mënyrë për të penguar rezultatet dhe për t’i mbajtur kryetarët në zyra” – potencon analisti serb nga Veriu. Ai gjithashtu vlerëson se do të jetë e vështirë që të mobilizohen serbët që të dalin dhe të marrin pjesë në referendum………..

Kujtojmë see, katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre më 21 prill.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Veri janë 46 mijë e 248 votues. Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

 

 

 

Advertisement