Kronike
22-vjeçari aksidentoi për vdekje avokatin, kolegët e viktimës dyshojnë për vrasje me dashje
Një aksident i rëndë është regjistuar dy ditë më parë në Durrës ndërsa humbi jetën avokati 63-vjeçari Leonard Dingo. Personi që shkaktoi aksidentin u largua nga vendi i ngjarjes duke lënë Dingon të shtrirë në rrugë. Policia sot ka njoftuar se ka identifikuar autorin 22 vjeçar, Erjon Kacani.
Në lidhje me aksidentin kanë reaguar kolegët e viktimës. Në një postim në rrjetet sociale Avokatët Penalistë shprehen se kolegu Dingo ka pasur çështje të rëndësishme, ndaj nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të jetë e qëllimshme.
“Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit të Durrësit ka ndodhur një aksident me karakteristika krimi, ende i pazbardhur. Ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të ndodhur avokati i njohur Leonard Dingo. pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 gusht. Duke ditur çështjet delikate që mbronte avokati Dingo, dyshimet e arsyeshme çojnë përtej një aksidenti të zakonshëm, sipas burimeve konfidenciale, deri tani makina që shkaktoi aksidentin u gjet e braktisur U identifikua zona e Shena Vlashit, targa dhe për rrjedhojë edhe pronari i makinës, por ajo që do të çonte në zbardhjen e aksidentit është ende mister !” shkruan faqja Avokatët Penalistë.
Dyshohet se 22-vjeçari aksidentoi për vdekje avokatin Leonard Dingo në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Sipas raportimeve për mediat, i dyshuari që pas aksidentit e braktisi automjetin e tij në Kodër Arapaj është një emigrant në Greqi. Policia po punon për kapjen e tij si dhe po heton për të kaluarën e tij dhe nëse ka ndonjë lidhje mes tij dhe viktimës.Avokati Dingo, sipas policisë qëndronte në një banesë të marrë me qira në zonën ku ndodhi aksidenti. Pas përplasjes për vdekje të avokatit që ndodhi rreth orës 01:00, të 21 gushtit në aksin dytësor “Plepa-Kavajë”, ku u përplas me automjet Leonard Dingo, 63 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën, në vendngjarje. Policia Rrugore identifikoi dhe shpalli në kërkim drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin.