Kronike
22-vjeçari thyen masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, kapet në flagrancë duke shitur drogë

Një 22-vjeçar ka rënë në pranga si pasojë e thyerjes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Shtetasi me inicialet F. G., banues në fshatin Pulaj, është kapur në flagrancë duke shitur lëndë narkotike të llojit kanabis.
Gjatë momentit të arrestimit, i janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. I riu akuzohet për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dilte nga banesa dhe shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën për kapjen e tij në flagrancë. Ata e kanë konstatuar shtetasin F. G., duke qarkulluar me automjet, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë arrestuan në flagrancë shtetasin F. G., 22 vjeç, banues në fshatin Pulaj, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

