Connect with us

Aktualitet

Lorenc Vangjeli: Rama duhet të kishte votuar kundër masës për Berishën

Gazetari Lorenc Vangjeli  shprehet se kryetarit të opozitës Sali Berisha i është bërë padrejtësi duke mos e lënë në hetim në gjendje të lirë, ashtu siç funksionojnë shtetet demokratike në botë. Sipas tij, po të njejtin fat duhet ta kishte edhe kryetari i Bashkisë Himarë Fredi Beleri.

“Dalim në një gabim thelbësor, që është i parlamentit dhe kryesisht i mazhorancës, ose me emër dhe mbiemër të përveçëm, i Edi Ramës si kryeministër.Edi Rama do të duhej në seancën kur u kërkua leja e parlamentit për arrestimin e z. Berisha ta refuzonte.

Parlamenti është pushteti kryesor në këtë vend i cili do të gjykonte që në këtë fazë të hetimit do të ishte e pamundur ose e pavlefshme, jopropocionale masa ndaj deputetit Berisha, liderit Berisha, qytetarit me imunitet Berisha, t’i lihej rrugë e lirë hetimi sepse kjo ka të bëjë me një gjë tjetër që është shumë herë më  e rëndësishme. Nëse bëhet fjalë për reformën në drejtësi, pjesa më e lehtë ishte të shkruaje arkitekturën e saj, të shkruaje ligje.

Mendësia është shumë  e vështirë për të ndryshuar. Të shkruash reformën nuk do të thotë që je reformator. Këtu, Rama i pari, Dumani i dyti dhe po ju përmend dhe një emër tjetër që do e dëgjojmë shpejtë në këtë histori sepse është pjesë e sistemit, kryetari i gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Do të duhet dhe janë të ndëshkuar të sillen si reformatorë për të ndryshuar një mendësi totale, këtu përfshirë dhe zotin Beleri.

Nuk është burgu qëllim në vetvete, duhet të ishte masa e fundit. Ajo që është shqetësuese është që në të gjithë botën ka presion për të mbrojtur të drejtat e njeriut, vihet individi në qendër  dhe gjithë shoqëria e  bën këtë presion në emër të individit. Ne jemi komplet në të kundërt. Shoqëria bën presion, burg thotë.

Mbi këtë logjikë edhe Beleri duhet të ishte në liri sot, do të duhet të ishte betuar  dhe të vazhdonte hetimi normalisht. Në këtë logjikë edhe Berisha do të duhet të ishte në seli dhe jo në shtëpi, në këtë logjikë nuk duhet të ishte në arrati edhe Ahmetaj por të ishte në Tiranë dhe të përballej me hetimin, e kështu me radhë”, tha ai.

Advertisement