Connect with us

Politike

3 muaj në qeli/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës (Dokumenti)

Pas mungesës së pandërprerë tre mujore të Erion Veliajt në detyrën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit Bashkiak shkarkimin e tij, duke u mbështetur në nenet përkatëse të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.

Kërkesa është dorëzuar këtë të premte, më 9 maj 2025, në Bashkinë e Tiranës, nga kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ilir Alimehmeti, dhe nënkryetarja e grupit, Ilda Zhulali.

Dokumenti i është drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak Romina Kuko dhe sekretarit Behar Zeneli, ndërsa janë vënë në dijeni edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe Prefekti i Tiranës Afrim Qendro.

Në letrën e PD-së kërkohet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Bashkiak më 12 maj, me qëllim shkarkimin e Erion Veliajt, për shkak të mungesës së tij fizike në zyrë për më shumë se tre muaj rresht.

Kujtojmë se Veliaj ndodhet në burg prej 10 shkurtit 2025, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me aferat në inceneratorin e Tiranës.

Kryebashkiaku ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ndërsa nuk është shkarkuar nga detyra pas arrestimit. Postin e tij e ka marrë Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Kryeministri Edi Rama.

Advertisement