Connect with us

Kronike

“30 mijë euro për të vrarë për nder”, dëshmia e Artan Tafanit: Porositë i merrja nga Laert Haxhiu

Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Artan Tafani, rrëfeu në Gjykatën e Posaçme detaje të disa ngjarjeve kriminale të kryera nga grupi që drejtohej nga Laert Haxhiu. Para trupit gjykues ai tha se për vrasjen e Albi Bashaliut në Peqin kishte marrë 30 mijë euro dhe këto para ua kishte çuar babai i Lart Haxhiut, Qamili.

“Për vrasjen e Albi Bashaliut unë kam marrë 30 mijë euro. Lekët i ka paguar Lorenc Lala. Laerti na ka thënë që duhet ta bëjmë këtë punë për nder, për Lorenc Lalën. Babai i Albit i kishte vrarë të atin Lorencit. Enriko na dërgoi një video të makinës së viktimës. Laerti na tha që të shkonim në fshatin Gjonçaj, ku jetonte viktima dhe vrasjen ta vënim atje. Armët i siguroj Bledar Berberi. Me vete kishim dy por vetëm njërën përdorëm. Tjetra nuk punoi. Qëlluam 6 herë, me sa kujtoj. Dy herë në gjoks dhe më pas në kurriz. Pas vrasjes u larguam me makinën e viktimës, e jona nuk po ndizej. Pasi mbërritën në vendin ku kishim lënë makinën tjetër, atë të viktimës e dogjëm. Çmontova edhe armën”, tha Tafani.

Tafani rrëfeu më tej se së bashku me Lulëzim Arapi në banesën e dy vëllezërve në Lushnjë për të vënë një sasi tritoli e cila më pas nuk shpërtheu. Porosinë thotë ai, e kishte marrë nga Laert Haxhiu, pasi ky i fundit pretendonte se njëri prej vëllezërve kishte strehuar Xhulio Shkurtin, kundërshtarin e Haxhiut: “Dy vëllezërve në Lushnjë afër spitalit i vumë tritol tek dera. Sipas Laertit, një nga këta kishte strehuar Xhulio Shkurtin dhe sipas Laertit duhet t’i vendosnim edhe për provë. E vura unë dhe Lulëzim Arapi. Na tha Laerti që t’ia vendosim tek dera e shtëpisë. Tritolin e vendosi Luli, por nuk shpërtheu, plasi vetëm kapsolla”.

Ndërsa për Kujtim Metën, dëshmitari i mbrojtur rrëfeu se do e vrisnin pasi kohë më parë ai kishte rrahur me grushte babanë e Laert Haxhiut: “Di që babai i Laertit ishte zënë me Kujtim Metën dhe donin që ta vrisnin. Në vëzhgim po e mbante Dorian Shurdhi. Ai nuk donte që ta vrisnim nga frika mos identifikohej. Doriani e shante Lartin, thoshte “do na kalbë në burg”. Më pas Laerti më dha informacion se Kujtimi ishte afër një lokali dhe më tha shko afrohu se e ke aty. Shkova i maskuar me maskë covidi, kapuç dhe një xhup të madh. Sapo qëllova drejt tij, ai lëviz me vrap nga karrigia. Unë qëlloja por ai ikte nëpër çimento dhe nuk e shënjestroja dot. Më mbaruan 8 fishekët që kisha dhe ika”.

Tafani dëshmoi se makinat e bukura që u pëlqenin i grabisnin në rrugë, duke u hequr si policë: “Makinat i mbanim në emrat e të dashurave. Laert Haxhiu na thotë që duhet të grabisim një makinë, dolëm për të parë në Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Rrogozhinë. Ku të shikonim makina që na pëlqenin, ndalonim dhe e merrnim. Një makinë tip “Benz”, që na pëlqeu ishte e parkuar dhe brenda kishte një çift që rrinte mbrapa. I thamë: “Ndal, policia”! I thashë keni parkuar keq dhe duhet të dilni nga makina. Ai çuni e kuptoi që ne do i merrnim makinën dhe na tha sa lekë doni, pasi e kuptoi që ne nuk ishim policia, kurse vajza u tremb. Unë kisha pistoletën në dorë dhe i thashë dil jashtë dhe i dhashë një shpullë. Makinën më pas e parkuam në Astir”.

Artan Tafani u arrestua në shtator të 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit dhe më pas mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke zbardhur krimet e bandës së Laert Haxhiun, Në këtë dosje janë marrë të pandehur 9 persona

Advertisement