Aktualitet
37-vjeçarja u vra nga e motra, fqinji: Viktima merrte borxhe, më kërkonte alkool
Dëshmia e fqinjit të familjes Pushani konfirmon versionin e dhënë nga autorja e krimit, Marsela Pushani, e cila dy ditë më parë vrau motrën e saj 37-vjeçare Amanda Pushani, pas konflikteve të vazhdueshme për shkak të alkoolit.
Fqinji i tyre në një prononcim për emisionin “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 tha se viktima merrte borxhe.
Pronari i dyqanit, në lagjen ku jetonin dy motrat, tha se 37-vjeçarja i kërkonte alkool dhe kur nuk i dha ajo nuk i foli më.
“Ne na lajmëroi një komshi për atë që kishte ndodhur, ka kaluar kohë që kur ajo vinte me kërkonte që t’i jepja alkool. Po që kur i thash asaj se nuk i jap më pije, as motra e saj nuk më foli më. Babain e tyre e njihja ishte një burrë zotëri nuk konsumonte alkool, ishte shumë normal. Mesa di unë ka vdekur nga problemet e zemrës. Ato jetojnë këtu që kur është ndërtuar ky pallati, nuk kanë vëlla, janë të pa martuara. Ajo merrte borxh me ditë. Nuk e di nëse punonte mbaj mend që dilte në mëngjes për punë para disa kohësh”, tha fqinji në emisionin “Me zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti.
Fillimisht familja raportoi për një vdekje natyrale të 37-vjeçares Armanda Pushani, por më pas u zbulua se viktima kishte plagë të shkaktuara me thikë.
Krimi dyshohet se ndodhi për shkak se viktima ishte e alkoolizuar dhe agresive në familje. Dy vajzat jetonin me nënën e tyre në një banesë në rrugën “Hajdar Hidri” në kryeqytet.
40-vjeçarja pretendon se motra kishte marrë thikën dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe mamanë, për këtë arsye e ka qëlluar me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes.