Bota
5 gazetarë dhe 15 mjekë e infermierë të vrarë sot, Izraeli qëllon me raketa spitalin në Gazën jugore

Pesë gazetarë dhe 15 anëtarë të spitalit e urgjencës mjekësore janë vrarë në sulmin e fundit izraelit në Gaza. Sipas Kompleksit Mjekësor Nasser, nga sulmet e sotme kanë humbur jetën 20 persona, përfshirë dhe pesë gazetarë nga media të ndryshme.
Izraeli kreu sulme të njëpasnjëshme në spitalin në Khan Younis, të ndara vetëm nga disa minuta, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë. Sulmet e dyfishta vranë gazetarë, punonjës shëndetësorë dhe ekipe të reagimit emergjent.
Ata po shkonin me shpejtësi në vendin ku ranë predhat e para, për të dhënë ndihmë, por u vranë nga një sulm i dytë.
Gazetarët e vrarë përfshijnë Mohammad Salama, një kameraman nga Al Jazeera, Hussam Al-Masri i cili ishte kontraktor për Reuters, dhe Mariam Abu Dagga, e cila ka punuar me Associated Press (AP) dhe media të tjera gjatë gjithë luftës. Moath Abu Taha, një gazetar i pavarur, u vra gjithashtu.
Organizata e Mbrojtjes Civile të Gazës tha se një nga anëtarët e ekuipazhit të tyre vdiq në sulm. Goditja e parë shënjestroi katin e katërt të Kompleksit Mjekësor Nasser, i ndjekur nga një sulm i dytë pak kohë më vonë që goditi ekipet e ambulancës dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë në një deklaratë se “kryen një sulm në zonën e spitalit”. IDF tha se “nuk i shënjestron gazetarët si të tillë” dhe se shefi ushtarak ka udhëzuar që një hetim fillestar të nisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Deklarata e IDF-së nuk pranon goditjen direkte të spitalit, nuk përmend dy sulmet e njëpasnjëshme në objekt dhe nuk përmend atë që kishte në shënjestër ushtria.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Izraeli ka vrarë 192 gazetarë që nga fillimi i luftës në Gaza, para sulmit të së hënës. Organizata shtoi se: “Izraeli po angazhohet në përpjekjen më vdekjeprurëse dhe më të qëllimshme për të vrarë gazetarët që CPJ ka dokumentuar ndonjëherë.”

