Connect with us

Aktualitet

500 mijë euro dëm shtetit/ SPAK: Myzyri ndërhyri për të shpallur fitues ofertuesin më të lartë

Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri akuzohet nga SPAK, së bashku me vartësit e tij, se kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, duke shpallur fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugës Rreshën-Ura e Repsit bashkimin e operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ofertën më të lartë, duke shkaktuar një dëm prej afro 500 mijë eurosh buxhetit të shtetit.

Sipas gazetares Klodiana Lala, në dosje thuhet se se gjatë hetimit ka rezultuar se Komisioni i Prokurimit Publik ka diktuar autoritetin kontraktor, në këtë rast Autoritetin Rrugor Shqiptar, që bashkimi i operatorëve ekonomikë Alb Shpresa, Mela dhe Xhast, si dhe operatori ekonomik Jubica, të vlerësohen më pak se bashkimi i operatorëve ekonomikë AEK Munella dhe Drini-1, me qëllim që ky i fundit të renditet me pikë më të lartë dhe të rezultojë fitues.

Sipas SPAK, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të orientonte autoritetin kontraktor për anulimin e procedurës, me qëllim rihapjen e saj, duke iu dhënë mundësinë operatorëve ekonomikë që të plotësonin kriteret e vendosura prej tij të konkurrojnë.

  • Pjesë nga dosja: 

Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka zbatuar drejt ligjin, pasi me vendimet e tij nuk ka udhëzuar autoritetin kontraktor të korrigjojë shkeljet e mundshme apo të ndalojë sjelljen e jashtëligjshme të saj, por në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndërhyrë duke i diktuar autoritetit kontraktor mënyrën e vlerësimit të operatorëve ekonomikë.

Tejkalimi i kompetencave të KPP ka sjellë trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, duke cenuar konkurrencën ndërmjet tyre dhe duke dëmtuar efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, si dhe duke shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën mbi 47 milionë lekë.

  • Jonaid Myzyri i pandehur nga SPAK

Më datë 24 qershor 2025 kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro.

Në njoftimin e gjykatës bëhet me dije se janë marrë të pandehur edhe shtatë persona të tjerë për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa 3 të tjerë janë marrë të pandehur për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Advertisement