Connect with us

Aktualitet

570 mijë €/ Mashtroi shoqen dhe familjen Ferracaku, lihet në burg punonjësja e BSH

Gjykata ka lënë sot në burg, ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, e cila akuzohet se ka mashtruar familjen Ferracaku dhe shoqen e saj duke u marrë atyre 570 mijë euro.

Deraj i mori 230 mijë euro shoqes me premtimin se do i investonte në bono thesari, ndërkohë që i mori 340 mijë euro familjes Ferracaku me premtimin se do i shpëtonte nga burgu përjetë. Për këtë të fundit pretendon se bashkëpunoi me ish prokurorin Arjan Ndoj.

Report Tv ka siguruar dosjen e saj hetimore, ku në dëshminë e saj në gjykatë Deraj ka thënë se 4 banda e kanë kërcënuar që të shpëtonte nga burgu përjetë Abedin dhe Shyqyri Ferracakun. Ajo kërkoi masë më të lehtë për t’u kujdesur për djalin 3-vjeçar, por gjykata e rrëzoi. Për momentin është çështja nën hetim për ‘mashtrim të madh’ por nëse do të verifikohet pjesëmarrja e personave të tjerë apo zyrtarë, çështja mund t’i kalojë SPAK.

Sipas dosjes, Abedin Ferracaku komunikonte përmes aplikacionit Signal, e cili priste që Milena Deraj dhe avokati Arjan Ndoj ta ndihmonin në një proces gjyqësor që kishin në Shkodër, në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në Velipojë, në vitin 2021.

Milena Deraj thotë se në fillim të vitit 2022, Abedin Ferracaku e ka marrë në telefon përmes aplikacionit ‘signal’ duke i kërkuar që të takohen e t’i jepte shumën e parave që kishte biseduar me avokatin.

Më pas e ka takuar dhe i ka dhënë 80 mijë euro. Dy javë më vonë, janë takuar brenda një taksie para Bankës së Shqipërisë ku i ka dhënë 70 mijë euro. Një muaj më vonë, janë takuar te Lulishtja ‘1 maj’ ku i ka dhënë pjesën e mbetur të parave dhe plotësoi shumën 340 mijë euro.

Këto para, thotë se i ka mbajtur në shtëpinë e saj për rreth 10 ditë dhe për 3-4 muaj i ka mbajtur në makinë. Më pas pretendon se avokati Arjan Ndoj e ka kontaktuar duke i thënë se heq dorë nga kjo punë ndërsa Milena Deraj nuk i ka treguar shumë e eurove që i kishin dhënë.

Dy ditë më vonë kontaktoi Abedinin duke i thënë se do t’i kthente lekët po të mos bëhej puna por ai i ka thënë se është vënë në rrezik për këtë shumë parash ndaj do që t’i bëhet puna.

Advertisement