Connect with us

Kronike

6.1 milionë euro zhvatje me call centera, kapet në Dubai Erlind Cekaj, pjesë e grupit të Amant Josifit

Erlind Cekaj, pjesë e grupit të Amant Josifit, është arestuar në Dubai.

Ai ishte shpallur në kërkim si pjesë e nje grupi kriminal që kishin kryer mashtrime përmes call centerave duke u zhvatur shtetasve të huaj në Spanjë, Gjermani, Suedi, Finlandë, Shqipëri etj shuma të mëdha që llogariten në rreth 6.1 milionë euro.

Rreth një vit më parë në Dubai u ndalua Amant Josifi, por u la i lirë nga autoritetet.

Ai akuzohet si pjesë e një mashtrimi me vlerë rreth 2.4 miliardë euro të qytetarëve nga vende të ndryshme të BE-së.

Pjesë e së njëjtës dosje për mashtrimin e shtetasve gjermanë me vlerë 6.1 milionë euro janë edhe

Adrian Korriku me profesion programues IT, Irisa Puca, me profesion informaticiene, Merxhan Çeliku dhe Endri Bulku.

Çështja ndaj tyre nisi pas denoncimit të shtetasve gjermanë, gjë që vuri në lëvizje drejtësinë gjermane që e referoi çështjen te autoritetet shqiptare.

Dosja

SPAK ka dërguar në vitin 2021 kërkesën për procedim penal me të pandehur shtetasit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Çekaj, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Shqipëria u bë pjesë e grupit të përbashkët hetimor, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, etj, pas zbulimit se një sërë kompanish kanë kryer aktivitetin e ‘call center’, duke kryer dhe mashtrimet online. në platforma mashtruese të shtetasve europianë.

Autoritetet gjermane dhe partnerët zbuluan shpejt se kompanitë, të cilat kishin zgjeruar veprimtarinë e tyre mashtruese në Shqipëri, Ukrainë, Gjeorgji dhe më tej, ishin nën drejtimin e ‘Milton Group’. Pronari i kësaj kompanie u identifikua si shqiptari Amant Josifi, i cili sipas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me ‘Eurojust’ dhe ‘Europol’, konsiderohej personi që drejtonte gjashtë qendra të mashtrimit telefonik në Shqipëri, të cilat ishin lidhur drejtpërdrejt me ‘Milton Group’.

Ish-këshilltari i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ish-ortaku në biznes i vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, aktualisht jeton në Dubai dhe përpiqet të shpëtojë nga ekstradimi në Spanjë. Në periudhën midis 2015-2022, bashkë me ortakun e tij, Mikheil Biniashvili, njohur si Mishka, ata ndërtuan një platformë kibernetike për mashtrim, duke shfrytëzuar besimin e qytetarëve të Evropës për të përvetësuar llogaritë e tyre.

Amant Josifi dhe Mikheil Biniashvili krijuan jo vetëm një skemë të gjerë mashtrimi ndërkombëtar, por edhe e shpërndanë në disa vende të Evropës, duke filluar nga Ballkani Perëndimor deri në Kaukaz. Në hetimeve të institucioneve ligjzbatuese gjermane janë përfshirë edhe personat e tjerë, përfshirë programuesit kompjuterikë, të cilët ishin në dijeni të këtij mashtrimi.

Këto kompani të cilat drejtoheshin nga ‘Milton Group’, shpejt u lokalizuan në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj.

Hetimet gjermane

Nga të dhënat hetimore të dërguara nga Autoritetet Gjyqësore Gjermane, del se kanë rezultuar lidhje të shtetasve shqiptarë me kompaninë ‘Milton Group’ që ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore.

Nga autoritetet gjermane u urdhwrua kontrolli i platformave mashtruese tregtare ‘Absolut Global Markets’, ‘AurumPro’ dhe ‘Finaxis’.

Nga 67 kallëzime në landin gjerman të Bavarisë dëmi i shkaktuar nga platformat ‘AurumPro’, ‘Fianxis’ dhe ‘AGMarkets’, llogaritet në 1.8 milionë euro. Nga 35 kallëzime për platformën ‘Centrobanc’, dëmi është 1.7 milionë euro. Nga 40 ankesa për platformën ‘CapitalMarketsBanc’, dëmi llogaritet 1.6 milionë euro ndërsa për platformën ‘Cryptokartal’ ka pasur 31 kallëzime me një dëm në total, prej 1 milionë euro.sh

Sipas autoriteteve gjermane, Bavaria është vetëm një nga shumë lande të prekura. Platformat e lidhura me kompaninë ‘Milton Group’, të drejtuar nga Amant Josifi dhe ortaku i tij gjeorgjian, Mishka, kishin udhëheqjen e skemës së mashtrimit.

Më datat 8 dhe 9 Nëntor 2022, në Shqipëri u krye operacioni ndërkombëtar ‘Frida-Refox’, ku u kontrolluan disa qendra të thirrjeve telefonike në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Në këto qendra ku krahas portofoleve në kriptovalutë dhe parave në cash u gjetën edhe dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.

Gjatë vlerësimit të një serveri u arritën të identifikoheshin plotësisht personat të cilët ishin të lidhur me kompaninë e IT ‘PumaTS/ SMCompany’.

Që janë të pandehurit Irisa Puca, Endri Bulku, Erlind Çekaj dhe Adrian Korriku.Ndërkohë që rezultoi se personi i pandehur Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave.

Kjo është provuar plotësisht nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave.

Gjatë hetimit, u zbuluan lidhjet e Amant Josifit me kompaninë ‘Milton Group’ dhe kompanitë bija që ai kishte krijuar për të fshehur aktivitetin e tij kriminal. Po ashtu, u zbuluan edhe pasuritë e marramendëshme monetare që ai kishte fituar nga ky aktivitet. Disa prej këtyre pasurive ishin transferuar në emër të familjarëve të tij.

Erlind Cekaj

Njoftimi

“Në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, me datë 20.08.2024, është bërë e mundur arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind CEKAJ, i biri i Fatos dhe Shqiponja, i datëlindjes 16.07.1996, lindur dhe banues në Bregas, Fier.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim penal Nr. 85 datë 18.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit”, Grupi i strukturuar kriminal” dhe “ Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të K. Penal

Permbledhje e fakteve

Shtetasi Erlind CEKAJ në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur IT PumaTS/SM Company, të lidhur me kompaninë Milton Group, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese, dhe vepronin në mbarë botën dhe drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria etj.

Ky rrjet kriminal në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e BE-së, duke u shkaktuar atyre miliona euro. Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria nën koordinimin e Eurojust.”

Advertisement