Connect with us

Politike

60 studentët e parë nisin Akademinë e Sigurisë/ Një nga momentet kyçe të ringritjes së Forcave të Armatosura

/ATSH / Akademia e Forcave të Armatosura ka çelur këtë të hënë dyert për 60 studentë fitues, nga 600 aplikantë të cilët shprehën ambicie për të ndjekur studimet ushtarake. 60 studentët fitues që nga sot nisin udhën e tyre të dijes pranë Akademisë së Forcave të Armatosura do të ndjekin studimet e programit bachelor në Fakultetin e Shkencave Ushtarake.

“Mirënjohje e vlerësim për të gjithë pedagogët, bashkëpunëtorët dhe stafin e Akademisë së Forcave të Armatosura, të cilët shenjuan këtë moment të rëndësishëm për arsimimin e brezit të ri”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, gjatë aktivitetin e zhvilluar mëngjesin e sotëm në kampusin e Universitetit të FA ku u uroi atyre vit të suksesshëm.

 

Në fjalën e tij, ish-pedagogu i Akademisë së Forcave të Armatosura, Kostaq Karoli, u shpreh se angazhimi në FA është një përgjegjësi e madhe. “Jetojmë në një kohë të vështirë për shkak të pandemisë dhe ndërmarrja e kësaj rruge mbart përgjegjësi dhe sakrificë. Ju uroj suksese dhe si pedagogëve, ashtu edhe studentëve që nisin këtë rrugëtim”,- tha Karoli.

“Kjo ditë do ngelet e shënuar në FA, pasi kurorëzon përpjekjet për ngritjen e një sistemi arsimor në harmoni me ambiciet e FA. Për herë të parë këtë vit, studimet do të kryhen plotësisht të organizuara në bazë të arsimit të lartë me një kurikul të pasur për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare, i akredituar në ciklin Bachelor. Për të mbërritur këtu është dashur punë e sakrificë, e cila do të përkthehet në formësimin e të ardhmes së FA”,- u shpreh më tej, shefi i SHPA, gjeneral major Bajram Bega.

Në ceremoninë në fjalë mori pjesë dhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi.

Ministrja e Arsimit, Rinisë e Sportit u shpreh se ky është një moment shumë i veçantë pasi bëhet fjalë për një institucion prestigjioz, një strukturë e rëndësishme që do përgatisë brezat e ardhshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Çdo studentë, është një aset i së ardhmes në fushën e mbrojtjes. 60-studentëve dhe pedagogëve u uroj shumë suksese dhe mbarësi gjatë vitit akademik. Ky fillim viti akademik, është sfidues, si asnjë vit tjetër më parë për shkak të pandemisë COVID 19. Nuk është aspak e lehtë për mua sot të uroj vitin e ri akademik në auditorë të zbrazura. Por kjo është një sakrificë që duhet bërë për të mirën e përbashkët. Janë rrethana që nuk duhet t’i shmangim, por t’i përballim me kurajo”,- u shpreh ministrja Kusho.

“Vendimi i Komitetit të ekspertëve për të nisur procesin arsimor, për të paktën një muaj online nuk është i lehtë, por i diktuar nga pandemia. Prandaj, unë si Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë gjej rastin të apeloj për më shumë durim dhe fleksibilitet nga ana e çdo studenti e pedagogu. Duke ndjekur dhe metodat specifike të secilit universitet, ku janë marrë të gjitha masat e nevojshme për një vit të mbarë akademik”,- tha më tej Kushi.

“Pandemia nuk na ndalon dhe për të vijuar me Paktin për Universitetin, ku në buxhetin e ri 2021 ne kemi parashikuar më shumë financim për infrastrukturën dhe kampuset universitare dhe për të qenë pranë studentëve që vijë nga familje me ndihmë ekonomike”,- tha Kushi.

“Akademia na krijon sot një mori mundësish që deri dje, as që nuk i mendonim dot, jo vetëm për përgatitjen e kuadrove drejtuese, por edhe për afrimin drejt FA të të rinjve dhe të rejave më të talentuar. Është një gjë t’i kërkosh djemve dhe vajzave që kanë mbaruar shkëlqyer shkollën e mesme. për t’iu bashkuar FA, dhe është tjetër që t’u kërkosh atyre  që të bëhen pjesë e një universiteti që të jep mundësi që në bazë të meritës të jesh pjesë e strukturës së sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë me mundësi të pafundme punësimi si brenda ashtu dhe jashtë vendit, në sajë të aleancës me NATO-n”,- tha Xhaçka.

Sipas saj, sfida e vërtetë nis tani sepse sado e vështirë ishte rihapja e akademisë, rikthimi i saj në një histori suksesi nuk do jetë e lehtë, por janë të gjitha mundësitë, të gjithë profesionistët e duhur për ta ngritur atë në nivelin e një akademie të NATO-s”,- nënvizoi Xhaçka.

“Mbyllja e universitetit të FA ishte një nga gjëmat më të pakuptueshme të tranzicionit. Akademia u mbyll vetëm 1 vit pasi u anëtarësuam në NATO, ndërkohë që rruga e një force moderne dhe profesioniste kalon nga Akademia”,- tha ministrja e Mbrojtjes.

Ajo falënderoi SHBA, Turqinë, Greqinë, Italinë e Anglinë për ndihmën në arsimim gjatë këtyre viteve dhe shtoi se “armatimet e pajisjet janë pesë me hiç nëse nuk investojmë tek njerëzit tanë. Pas disa vitesh, rihapja e Akademisë së FA do të shihet si një nga momentet kyçe të ringritjes së FA”,- përfundoi Xhaçka.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *