Kronike
60-vjeçari u plagos nga helika e gomones në Karaburun, arrestohet drejtuesi i mjetit lundrues
Një 42-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi një ditë më parë një 60-vjeçar u plagos nga helika e mjetit lundrues që po përdorte ai në Karaburun. 42-vjeçari akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. Ndërkohë mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në vendin e quajtur “Shën Jani”, Karaburun, u godit nga helika e një mjeti lundrues gomone, në det dhe mbeti i dëmtuar në këmbë shtetasi A. K., 60 vjeç, banues në Tiranë, ju bëjmë me dije se në përfundim të veprimeve proceduriale, nga strukturat e hetimit në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit F. T., 42 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
60-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.