Connect with us

Aktualitet

7.8 milionë lekë dieta të pajustifikuara, KLSH zbulon skandalin e “Albgaz”

Administrata e shoqërisë shtetërore “Albgaz” sh.a., përfitoi miliona lekë për dieta të pajustifikuara, për të cilat nuk u morën masa as pas lënies së rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas raportit tematik për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH, rezulton se shoqëria nuk ka zbatuar anjë prej tyre.

Historiku

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit kishte gjetur një sërë shkeljesh dhe mangësish në administrimin e fondeve publike në shoqërinë shtetërore “Albgaz” sh.a., të cilat sipas auditimit përbëjnë efekte negative financiare për vetë shoqërinë dhe për buxhetin e shtetit. Gjetjet lidhen kryesisht me trajtime financiare të pajustifikuara për administratën, pagesa të kryera në kundërshtim me kriteret ligjore të punësimit dhe mungesë të miratimeve institucionale për strukturën dhe nivelin e pagave.

Sipas raportit të auditimit, për periudhën mars 2018 – mars 2020, administrata e shoqërisë  përfitoi padrejtësisht për dieta ushqimore vlerën 4,648,000 lekë, ndërkohë punonjësit përfituan me pa të drejtë edhe bonusin e dietës antidodë në vlerën 3,170,244 lekë. Sipas KLSH-së, përgjegjësia për këtë praktikë bie mbi Këshillin Mbikëqyrës të shoqërisë.

Në total, përfitimet e pajustifikuara nga dieta ushqimore dhe dieta antidodë arrijnë në 7,818,244 lekë, vlerë që sipas audituesve përbën efekt negativ në menaxhimin me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike për shoqërinë “Albgaz” dhe për buxhetin e shtetit. Megjithatë, nga verifikimet e mëvonshme rezulton se organet drejtuese të shoqërisë nuk e kanë analizuar këtë shpenzim dhe nuk kanë marrë masa për trajtimin e tij, ndërsa rekomandimi i KLSH-së për këtë çështje mbetet “pa zbatuar”.

Po kështu, i pazbatuar mbetet edhe rekomandimi për shqyrtimin e vlerës së përfituar në mënyrë të padrejtë nga një punonjëse pa arsimin e duhur. Sipas raportit, një punonjëse e sektorit të burimeve njerëzore u emërua me pagë 75,000 lekë pa zotëruar diplomë të arsimit të lartë, në kundërshtim me kriteret e miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës. Edhe pse paga u ul në 50,000 lekë në vitin 2019, për periudhën mars–dhjetor 2017 u krijua një diferencë e pajustifikuar prej 416,000 lekësh, e konsideruar efekt negativ për shoqërinë dhe buxhetin e shtetit. KLSH rekomandoi shqyrtimin e kësaj vlere dhe evidentimin e përgjegjësve, por shoqëria dërgoi vetëm një njoftim për kthimin e shumës, i cili nuk është marrë në dorëzim duke lënë në ajër rekomandimin.

Po kështu, auditimi kishte konstatuar se për disa pozicione drejtuese,  si përgjegjës sektori, shef sektori, asistent ekzekutiv, këshilltar dhe drejtor drejtorie nuk ekziston një rregullore e miratuar që të përcaktojë kriteret për caktimin e pagës brenda limiteve të miratuara. KLSH rekomandoi që administratori dhe Këshilli Mbikëqyrës të hartonin dhe miratonin një rregullore të tillë sipas kompetencave statutore. Megjithatë, nga verifikimi rezulton se, ndonëse shoqëria pretendon se çështja është adresuar në organet drejtuese, nuk ekziston asnjë vendimmarrje e dokumentuar, duke lënë edhe këtë rekomandim pa zbatuar. /ekofin.al

Advertisement