Politike
7 vrasje në 1 javë/ Ironizon Meta: Pa krim s’ka zhvillim
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka komentuar ngjarjet e rënda kriminale në vend ditët e fundit, ku kanë humbur jetën rreth 7 persona. Meta ka ironizuar ngjarjet e fundit duke sjellë në vëmendje një deklaratë të ish-ministrit të brendshëm, Bledi Çuçi, i cili gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë, është shprehur se “Pa krim s’ka zhvillim”.
“Pa krim s’ka zhvillim, është thënë hapur nga ministri i Edi Ramës në kohën e tij, Bledi Çuçi. Është e gjithë filozofi e Edi Ramës”, u shpreh Meta.
Sa i përket lajmeve për trafikun e mbetjeve toksike nga Shqipëria përmes Portit të Durrësit drejt Kinës dhe Tajlandës, Meta u bëri thirrje deputetëve të bashkohen dhe të nis një hetim për çështjen.
“U kërkoj dhe deputetëve të PL të iniciojnë bashkë me kolegë të tjerë opozitarë, shpresojmë të bashkohen dhe socialistë të ndershëm, nëse u dhimbset e ardhmja e tyre, për të hetuar këtë aferë të tmerrshme, me përmasa katastrofale”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Metës
Absolutisht që është përfshirë prej kohësh, ka patur lajme të tilla dhe vite më parë, por u zhdukën të gjitha bazat dhe të dhënat. Ky skandal ndërkombëtar që ka plasur nga institucione të rëndësishme, media ndërkombëtare dhe ka patur reagime dhe nga shtetet e përfshira në këtë aferë, sigurisht që duhet të ndiqet urgjentisht. U kërkoj dhe deputetëve të PL të iniciojnë bashkë me kolegë të tjerë opozitarë, shpresojmë të bashkohen dhe socialistë të ndershëm, nëse u dhimbset e ardhmja e trye, për të hetuar këtë aferë të tmerrshme, me përmasa katastrofale.
Pa krim s’ka zhvillim, është thënë hapur nga ministri i Edi Ramës në kohën e tij, Bledi Çuçi. Është e gjithë filozofi e Edi Ramës. Edhe këtë të plehrave prandaj e bën ai, përmes këtij aktiviteti kriminal, sjell gjoja zhvillim sepse përfiton miliarda euro nga mafia ndërkombëtare e plehrave, të cilat ca i çon nëpër ofshore, ca ia jep atyre miqve të vet që bëjnë deklarata për reformat e mëdha që po bën ky, e ca i përdor këtu për pastrim parash.