Connect with us

Aktualitet

70 mijë shqiptarë janë përdorues të drograve

Brenda pak ditëve, dy persona humbën jetën nga mbidoza në Shqipëri. Rasti i parë ishte i një 31-vjeçare në lagjen Kombinat të Tiranës, ndërsa i dyti një 20-vjeçar nga Korça. Mes tyre ka edhe shumë të rinj që janë përdorues të rregulltë të drograve të ndryshme. Sipas të dhënave të fundit, numri i përdoruesve në Shqipëri është rreth 70 mijë persona.

Një numër që vjen në rritje, pasi në vitin 2014 raportoheshin për afro 40-50 mijë përdorues. Padyshim numri i lartë i përdoruesve konsumojnë hashashin, pirja e të cilit nis që nga adoleshenca. Mirëpo ekspertët e shëndetit thonë se ka një tendencë në rritje të përdoruesve të heroinës dhe ekstazive, teksa në shifra të larta mbeten edhe përdoruesit e kokainës.

Në burg sipas të dhënave janë rreth 134 persona përdorues të dënuar, të cilët trajtohen me metadon. Nga ana tjetër, rreth 7-8 mijë persona të tjerë kanë nevojë të vazhdueshme për ndihmë mjekësore. Ndarja sipas gjinive flet për 70% të meshkujve si përdorues dhe 30% të femrave. Ministria e Shëndetësisë nuk ka ngritur qendra të mirëfillta për rehabilitimin e personave të varur nga droga.

Të vetmet qendra serioze dhe të përkushtuara për luftën ndaj drograve janë ato me financim nga shoqatat ndërkombëtare, të cilat duke ndjekur programe të veçanta dhe duke përforcuar besimin në Zot, po arrijnë të riintegrojnë në shoqëri qindra persona me varësi nga droga dhe alkooli.

Advertisement