Shkrime
8 orët e ankthit të Erion Veliajt në SPAK
Nga Klodiana Lala
Sytë e shqiptarëve mëngjesin e 30 prillit ishin drejtuar nga SPAK.
Pardje ishte radha e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, të futej në godinën e xhamtë – në dyert e së cilës po hyjnë e dalin profile të larta të politikës, të dyshuar për përfshirje në akte korruptive e lidhje me krimin e organizuar.
Në ditën e shpalljes së datës së parashikuar për paraqitjen në frontin e drejtësisë, Erjon Veliaj, nuk mundi ta fshehë pasigurinë që i kishte kapluar zemrën.
Profili i tij, njëherazi kryetari i qytetit dhe personi i dyshuar për vepra të dyshimta, ishte një bashkëveprim i çuditshëm që e përshkallëzonte ankthin e tij.
Me zell, qytetari i parë i Tiranës, i cili kishte propaganduar se do të paraqitej vullnetarisht në Prokurorinë e Posaçme, mbërriti një orë përpara orarit të caktuar në urdhrin e firmosur nga Dritan Prençi.
Si për të dëshmuar, se ishte aty për shkak të vullnetit të tij, e jo një urdhri të detyrueshëm, që e paralajmëronte që nëse se zbatonte do ta shoqëronin me oficerë të Policisë Gjyqësore.
Orët në vijim, rrëzuan propagandën e kryebashkiakut të 1 milionë pemëve të mbjella në Tiranë, në një kohë që vetëm pemë që nuk shihen.
Teksa kapërcente rrethimin e jashtëm të SPAK, në shoqërinë e drejtorit Juridik të Bashkisë, Alban Dokushi dhe një përfaqësuesi të medias, Veliaj pati përplasjen e parë me disa qytetarë e deputetë të Rithemelimit.
“S’kemi as ujë, as asgjë” – dëgjohet të thotë një qytetar.
“Kërkoja Fariut me 100 mijë euro makinë”, u përgjigj Veliaj.
“Hajdut, kriminel, e ke vendin në burg”, vijuan mbështetësit e Rithemelimit.
Surpriza jo e këndshëm për Veliajn erdhi shpejt.
“Kolegët” siç i quante ai prokurorët e Posaçëm, u informuan nga punonjësit e Gardës, se kryebashkiaku kishte mbërritur.
“Të presë – u përgjigjën ata – ka ardhur para orarit”.
Veliaj mbeti peng i propagandës së vet.
I pafuqishëm për të dalë prej andej nga breshëria e pyetjeve të gazetarëve, zgjodhi të qëndronte në hollin prej 2 metrash të SPAK.
I ulur aty, në një platformë, as karrige as tavolinë, ku gardistët mbajnë regjistrin e hyrjeve daljeve.
Pranë tij, qëndronin dy prej pjesëtarëve të stafit.
Plot 45 minuta, Veliaj qëndroi në heshtje. Kuptohej që nuk kishte zgjidhje tjetër.
Koha në pritje ishte si një burg i padukshëm, ku çdo sekondë dukej e pafund.
Në atë godinë të ftohtë dhe të papërshtatshme për një politikan, ai ndihej si një i burgosur në kërkim të lirisë së humbur.
Ora shënonte 09:47 minuta, kur u lejua të ngjitej në godinë, pasi kaloi procedurat e kontrollit.
Çastet në vijim, ishin orë ankthi për Veliajn, teksa i përgjigjej oficerit të BKH-së.
Në momentin e parë të kryqëzimit të syve me prokurorët e ashpër, qëndrimi i tij ishte i palëvizshëm, sikur të kishte përfunduar në një sallë gjykimi të pamëshirshme.
Pyetjet e tyre, të cilat binin si shpatulla e një ushtari të vështirë, e lënë atë të ndihej i vetmuar në një det akuzash dhe dyshimesh.
Për ndershmëri profesionale, shumë detaje të mësuara, nga shtatë orët e qëndrimit të tij në SPAK, po kursehem të mos i bëj publike, për të mos i dhënë shkas z.Veliaj të nisë sulme në adresën time me emër, siç rëndom dhe në mënyrë të paprecedentë po bën në drejtim të shumë kolegëve të tjerë.
Burime konfirmojnë se pyetjet ishin të shumta, për të sqaruar rolin e tij në aferën e djegësit të Tiranës.
Që nga studimi i IFC-së, që në thelb sipas SPAK, i hapi rrugë partneritetit publik privat për trajtimin e mbetjeve, te dyshimet e marrjes së kompetencave të këshillit të qarkut, marrëveshjes së dherave, e deri te pyetje që lidhen me njohjen e tij me bosët e inceneratorëve, Mërtiri e Zoto, tashmë në arrati.
Bashkudhëtar të Erion Veliajt në këtë vuajtje të tij, ishim dhe “trimat” e IKMT-së, që dalloheshin lehtësisht nga tatuazhet, veshja e tyre, apo edhe mënyra sesi përçmonin gazetarët.
Fshehtas fotografoheshin gazetarët që raportonin, e kjo u shndërrua në temë debati mes vartësve të Veliajt dhe disa prej kolegëve. Njëra prej tyre dhe unë.
Dalja e tij nga SPAK, na dëshmoi se Erion Veliaj ka frikë nga mediat.
Ai ndjehet komod vetëm kur e filmojnë vartësit. Kur është e ndezur vetëm regjia e tij e propagandës.
Pasi la godinën, priti mbase 2 apo 3 minuta, dhe u shfaq përballë kamerave. Nuk mori asnjë pyetje.
Në këtë stërvitje të vështirë, ai ndiente presionin që vinte nga të gjitha anët, duke u përballur jo vetëm me akuzat, por edhe me sytë e shqetësuar të gazetarëve të cilët prisnin të godisnin sa më thellë në historinë e tij të errët.
Sërish këmbënguli se shkoi me vullnet në SPAK.
I cilësoi hetuesit e BKH-së si kolegë profesionistë. Ndërsa tha se ishte aty si bashkëpunëtor i tyre (uroj të ketë statusin e të penduarit).
Herë pas here, ai ndjente se po bëhej një pjesë e një dramë më të madhe se vetvetja. Në çdo heshtje, në çdo fjalë që lëvizte nga buzët e tij, ai kishte përballë veten me një rrugë të mbyllur dhe një të ardhme të paqartë.
Pastaj me vrap e në makinë.
Fluturoi drejt mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Prej andej, me një mllef të jashtëzakonshëm dhe për faktin se askush se kundërshtonte dot, hodhi vrer ndaj gjithkujt që mundi. Përfshirë dhe medias!
Përpjekjet e tij për të mbajtur pamjen e një lideri të palëkundur, ndërsa shkrihej brenda, ishin si përpjekja e një artisti për të ruajtur vlerën e një vepre të rrallë ndërsa ajo po digjej përpara syve të tij.
Në fund të ditës, ai e kuptoi se lufta ishte e humbur dhe se përballja e vështirë ishte vetëm fillimi i një ngjarjeje më të madhe, e cila do të vazhdonte të përshkallëzohej nëpër faqe të tjera të historisë së tij.