Connect with us

Politike

9 muaj në qeli/ Veliaj kërkesë GJKKO: Më mohojnë lirinë, ende nuk kam asnjë faqe të dosjes

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar GJKKO me një kërkesë për t’u njohur me aktet e dosjes në ngarkim të tij. Veliaj ndodhet prej 9 muajsh në qeli, por pretendon se ende nuk është njohur me dosjen dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në burg.

Në kërkesën drejtuar Gjykatë së Posaçme, Veliaj kërkon vetëm dy elementë bazë për të ushtruar mbrojtjen e tij: Një kopje fizike të dosjes, që ai të mund ta lexojë vetë dhe kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen. Në kërkesë theksohet se vazhdimi i procedurës pa garantuar këto të drejta elementare e bën çdo hap të mëtejshëm të pavlefshëm, duke shndërruar procesin në një formalitet që cenon drejtësinë.

KËRKESA:

Nëse gjykata, pavarësisht kësaj kërkese legjitime dhe detyrimeve të saj të drejtpërdrejta kushtetuese, vijon të refuzojë të drejtën time për t’u njohur me aktet, atëherë jam i detyruar të deklaroj me përgjegjësi të plotë se: Vijimi i procesit pa u njohur unë personalisht me dosjen përbën një mohim thelbësor të drejtësisë, një shkelje flagrante të garancive kushtetuese dhe një tregues serioz se gjykata nuk po ruan distancën e nevojshme nga pretendimet e prokurorisë, por po shndërrohet në pjesë të një skenari procedural të ndërtuar prej saj. Një proces në të cilin: prokuroria grumbullon për dy vite dokumente e mijëra faqe pa asnjë filtër, pa asnjë analizë selektive dhe pa asnjë orientim substancial të hetimit; gjykata shpejton procedurën në mënyrë të pashpjeguar dhe pa asnjë arsye kushtetuese apo ligjore; dhe i akuzuari nuk ka mundësi të njihet personalisht me dosjen mbi bazën e së cilës i është hequr liria; nuk mund të konsiderohet më një proces gjyqësor, por shndërrohet në një procedurë formale ku drejtësia zhvishet nga kuptimi i saj real dhe gjykata vendos veten, me veprim apo mosveprim, në funksion të një skenari të ndërtuar nga prokuroria dhe të riprodhuar mekanikisht edhe nga vetë ajo.

Unë nuk kam përgjegjësi dhe as mund të kem për faktin që prokuroria ka zgjedhur të hetojë për dy vite me radhë, të prodhojë 60.000 faqe aktesh dhe të lodhet në përpjekjen për të ndërtuar një akuzë që më mohon lirinë. Kjo kohëzgjatje dhe ky volum nuk mund të kthehen në mënyrë absurde në një barrë shtesë kundër meje, duke më mohuar kohën dhe mundësinë minimale për t’u mbrojtur. Prandaj, lodhja, koha, volumi dhe ritmi i prokurorisë nuk janë dhe nuk mund të jenë asnjëherë arsye për të më shkelur të drejtën e mbrojtjes. Ato janë zgjedhje të organit të akuzës jo arsye për të kufizuar më tej të drejtat e mia kushtetuese.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Advertisement