Connect with us

Shkrime

Rruga e vështirë e Kosovës dhe paradokset e Serbisë

Nga Ben Andoni

Kosova është dhe do mbetet një argument i mirë në Serbi për politikanët. Të paktën edhe për disa kohë. Nëse një politikan serb do t’i rrisë pikët në sondazhet parazgjedhore, mundohet të përshtati një narracion ndryshe për Kosovën por me titullin final: Do mbetet pjesë integrale e Republikës së Serbisë. E nëse do të heqë vëmendjen nga problematikat, që një politikan vendas has në mjedisin serb, normal do shprehet se: Po, Kosova po na merr energji dhe zbatimi i marrëveshjeve vështirësohen nga lidërshipi kosovar,…që ne po i tolerojmë!

Është e vërtetë se Kosova po e bjerr seriozisht energjinë serbe. Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë është aq e ngarkuar me çështjen e Kosovës, sa të paktën 75 për qind e kapacitetit të saj shpenzohet për dialogun dhe kundërshtitë ndaj Prishtinës, shkruhet në një analizë.

Në Kushtetutën e Serbisë të vitit 2006, Kosova është e përmendur tre herë. Fillimisht në preambulë, ku thuhet se Republika e Serbisë ka në përbërjen e saj dy krahina autonome: Vojvodinën dhe Kosovën, e më pas në nenet për organizimin territorial, në të cilat përcaktohet pozita e krahinave autonome, referuar atyre. Por, kujdes: Preambula në të cilën përmendet Kosova, nuk është pjesë detyruese e Kushtetutës. Dhe, një “kleçkë” ende më e madhe. Në nenin 8 të Kushtetutës së Serbisë thuhet që territori i Serbisë është “unik dhe i pandashëm”, ndërkaq që kufiri është “i paprekshëm”. Anipse Kosova është e ndarë nga Republika e Serbisë dhe e njohur në territorin e saj nga më shumë se 100 vende. Kuptohet se përcaktimi i kufijve nuk është pjesë e Kushtetutës dhe momenti kur Kosova e Serbia të ulen për demarkacionin e kufijve do jetë përfundimisht momenti i njohjes nga Beogradi.

Pak javë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje se së shpejti Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Partnerin e Paqes në kuadër të NATO-s, si dhe në Bashkimin Evropian.

A mundet që kjo përpjekje dhe retorikë ta ndihë Kosovën? Vështirë të thuhet. Aplikimi për anëtarësim në BE konsiderohet si hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit të plotë. Por, kujdes: pesë nga njëzet e shtatë shtetet anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe është e vështirë të pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të mund të kërkojë njëzëri mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin për anëtarësim. Ky konsiderohet hapi i dytë. Nëse kjo pengesë do kalohej dhe Spanja, Qipro dhe Greqia, shtuar me Sllovakinë dhe Rumaninë do të dakordësoheshin me vendet e tjera, atëherë mbushja e dokumentacionit do të kërkonte dy vjet, siç ka ndodhur në rastin e Serbisë. Për fatin e keq, Kosova e ka të vështirë këtë udhë, ashtu si Serbia me gjithë zhurmën që bën e di mirë se ka ende një avantazh të vockël prej përçarjes evropiane.

 

Duke parë udhën e vështirë për liberalizimin e vizave dhe mungesën e konjukturave të duhura, duket se Kosova do të vuajë ende në burokracinë e Brukselit, një fakt që i bën shumë mirë autoriteteve serbe për të hequr vëmendjen nga problematikat e brendshme me justifikimin e zakonshëm për dialogun me përfaqësuesit e “Krahinës së Jugut”. Kjo e fundit por si e pavarur, tashmë, i duhet të ketë vija të kuqe ndaj Serbisë nga i gjithë faktori politik dhe vazhdimi me kujdes i reciprocitetit, që do të thotë njohje de facto centimetër pas centimetri nga Serbia. Sa më e qëndrueshme të jetë në këtë betejë diplomatike dhe me të Drejtën Ndërkombëtare aq më e sigurt do të vazhdojë drejt ulëses së merituar në Kombet e Bashkuara. E Serbisë? Mbase do t’i mjaftonte dhe ideja e dy Gjermanive…për të larë atë që bënë ndaj “krahinës së tyre autonome”. Anipse duket se vështirësia nuk ndalet. Këtë e dinë mirë në Beograd dhe duket se duhet ta kuptojnë edhe më mirë në Prishtinë.

 

Advertisement