Connect with us

Kosova

Greqia dhe 5 vende të BE do të njohin Kosovën

Pavarësisht fushatës së Aleksandar Vuçic që disa shtete të mos njohin Kosovën dhe disa të tjera të tërhiqen njohjen, mediat serbe paralajmërojnë se Greqia do ta njohë brenda pak vitesh pavarësinë e saj.

“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 10 shtator.

Gazeta Danas shkruan se ka mundësi të mëdha që 5 vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur deri më tani Kosovën shtet të pavarur, mund të ndryshojnë qëndrim Në listën me 5 emra, si Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania, shteti helen pritet të ndryshojë qëndrim i pari. Dhe kjo, sipas medias serbe, pritet të ndodhë para afatit të përcaktuar me planin 13-pikësh të Scholz dhe Macron, që parashikon njohje brenda 10 vitesh, si parakush për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE.

Plani i fundit 13-pikësh i Gjermanisë dhe Francës, për të cilin shkruajnë mediat, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve në bazë të njohjes reciproke parasheh që të gjitha pesë vendet e mbetura të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që marrëveshja të arrihet legjitimitet i plotë në nivel të BE-së.

Siç shkruajnë edhe mediat e Kosovës, plani i ri i iniciuar nga presidenti francez dhe kancelari gjermane parashikon një kornizë të re për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kërkonte që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare formale për njohjen brenda 10 vitet e ardhshme, të cilat do të jenë parakusht për anëtarësimin e të dy vendeve në BE.

“Nëse propozimi pranohet, pavarësia e Kosovës do të pranohet nga pesë vendet e mbetura të BE-së, ndërsa Serbia do të ketë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe do të njihet si fuqi në rajon”, transmeton portali.

Nga pesë vendet e mbetura – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, Greqia është aktualisht më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas burimeve të Danas nga qarqet diplomatike.

“Greqia është më e afërta me këtë sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë zyrtarisht”. Deri më tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të atij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – mosmarrëveshja me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë asnjë pengesë tjetër për çështjen e pavarësisë përveç Qipros”, thanë burimet.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që prej në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur. Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë emëruar këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog. Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit po atë ditë, Macron dhe Scholz kanë thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata, po ashtu, u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kosova thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kundërshton.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb. Pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Advertisement