Connect with us

Shkrime

Krimi i organizuar shqiptar me objektiva politikë

Nga Ben Andoni

Është bërë fare e natyrshme të dëgjosh politikanët shqiptarë që artikulojnë qetësisht dhe normalisht akuza bandash kriminele njëri-tjetrin, individë me rekorde kriminale, kërcënimet e tyre, dhe se qeveria nuk e ka kontrollin e vendit!

Përmendën me lirshmëri në prag zgjedhje bandat e Elbasanit, Shijakut, Vlorës etj., sa të duket se vendi është komplet në dorë të tyre. Në fakt, krimet e ndryshme dhe droga e përvijojnë deri diku këtë logjikë.

“Shqipëria u rendit si prodhuesi më i madh i kanabisit në Ballkanin Perëndimor dhe një nga nyjet më të rëndësishme në Rajon për përpunimin dhe tranzitin e dograve të forta, si heroina dhe kokaina nga Lindja drejt Perëndimit.

Nga ana tjetër, nëse i referohesh sofistikimit të krimit, ku shquhen mënyrat e ekzekutimeve; forca e krimit; dekonspirimet e policisë dhe disa elementë të tërë’ e kupton qartë se tashmë krimi i organizuar është jo thjesht prezent në vend por gjithashtu po ushqen rol të madh dhe do ta pengojë integrimin e vendit ose më saktë rrugën drejt BE-së.

Dëmi i krimit të organizuar në ditët tona është se nuk përbën vetëm e thjesht rrezik, por krijon pengesa të mëdha ekonomike dhe mbi të gjitha psikologjike. Shqiptarët e rendisin si një nga arsyet kryesore të depopullimit por edhe të zhgënjimeve të shumta dhe mbi të gjitha të mungesës së shtetit ligjor.

Në ditët tona, problemi është majisur pasi, krimi i organizuar ka qasje edhe në vetë organet e policisë. Jo pak herë janë pjesëtarë të trupave speciale, që janë pjesë e bashkëpunimeve, kurse përpikmëria e botës së krimit ka lënë shteg më shumë për përfshirje direkte.

A do mundet kjo botë e errët të kërkojë dhe atribute të protestës politike? Urojmë që ideologë të partive të ndryshme thjesht për të marrë pushtetin nuk do e përdorin këtë udhë sepse pastaj pasojat mund të jenë fatale. Më tepër akoma, shpresa është nëse vetë krimi i organizuar nuk do kërkojë legalizimin politik, pasi pastaj vendi mund të shndërrohet në një arenë të frikshme përplasjesh dhe influencash.

Ende krimi shqiptar nuk i ka atributet mirëfilli deklamues politikë. E para se kultura e individëve në kauza terrori është e papërvojë, kurse vetë partitë janë të paqarta, ndërkohë që në këtë stad krimi ynë po mundohet të përshtatet me të tre pushtetet klasike: Ekzekutivin, Legjislativin dhe Gjyqësorin. Megjithatë korrupsioni i madh në vend, veç të tjerave, tregon se fusha për krimin e organizuar është bajagi e shtruar. Krimi i organizuar shqiptar po zhvillohet në mënyra pothuajse identike, siç ka ndodhur në vendet post-socialiste të Evropës Lindore e Qendrore.

A ka shpatulla shteti i drobitur shqiptar të mbajë edhe panginjen e krimit të organizuar?! Shteti jo, por steoretipet sociale, kulturore, antropologjike, po tregojnë se shteti shqiptar dhe politika e tij duhet t’i ruhen këtij pakti të errët që po i grish krimi për të ardhmen e vendit. Jemi tërësisht vonë dhe mbase të dështuar, ndaj na mbetet ai pak idealizëm, që ndodhet te jo pak njerëz që e respektojnë vendin.

Advertisement